Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës janë shënuar nëntë raste të vetëvrasjeve. Sociologët thonë se kjo shifër është shqetësuese ndërsa ndër faktorët që po ndikon sipas tyre është mungesa e komunikimit me familjen, mospuna e institucioneve, e po ashtu stigmatizimi i personave që konsultohen me psikologun
Rasti i fundit i cilësuar si vetëvrasje ka ndodhur në Lagjen Kalabria të Prishtinës, para pesë ditësh.
Policia kishte treguar se trupi i pajetë i gjakosur i një personi të moshës së mesme është gjetur brenda një veture. Sipas tyre, ky person dyshohet se ka bërë vetëvrasje, ndërsa afër trupit të pajetë ishte gjetur një armë zjarri me 12 plumba.
Ky është vetëm njëri nga disa rastet e vetëvrasjeve që kanë ndodhur së fundmi.
Në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas Policisë së Kosovës, numri i vetëvrasjeve është gati dyshifror.
Deri më 15 maj, sipas të dhënave janë kryer 9 vetëvrasje dhe 40 tentim vetëvrasjeje.
Ndërkohë, për vitin që e lamë pas janë regjistruar 44 vetëvrasje dhe 132 tentim vetëvrasje.
Sipas sociologes, Bleona Kurteshi kjo shifër është shqetësuese. Ajo thotë se janë disa faktorë e të cilët po ndikojnë në këtë fenomen.
“Për fenomenet e vetëvrasjeve sidomos kohëve të fundit në Kosovë mund të themi se janë disa faktorë si pabarazia shoqërore, depresioni i përgjithshëm shoqëror, promovimi i disa vlerave të caktuara në masë prej të cilave individët nuk e gjejnë veten e tyre. Është e rëndësishme që edhe institucionet shtetërore e kanë detyrën e tyre. Mirëpo, jo vetëm institucionet por edhe familja, komunikimi në familje. Sot e shohim një jo komunikim të familjes”, shprehet Kurteshi.
Pos kësaj, Kurteshi thotë se po ndikon edhe stigmatizimi i personave që konsultohen me psikologun.
“Duhet ta krijojmë një kulturë dhe të mos stigmatizojmë njërës të cilët vizitohen tek psikologu. Psikologu është shumë i rëndësishëm, neve na mungojnë psikologët nëpër shkolla na mungojnë nëpër institucionet tona edhe njerëzit nuk konsultohen me psikologun”, deklaron për RTV Dukagjinin Kurteshi.
Ndryshe që nga përfundimi i luftës në Kosovë, policia ka evidentuar rreth një mijë vetëvrasje./Portali D/