Site icon Telegrafi

Nëntë të vrarë dhe gati 3 mijë të plagosur nga shpërthimi i “pagerëve” të Hezbollahut

Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë plagosur, kur “pagerët” që i bartnin anëtarët e Hezbollahut në tërë Libanin, shpërthyen të martën pasdite – në atë që dukej të ishte një sulm i gjerë dhe i koordinuar nga Izraeli.

Një valë shpërthimesh, që gjithashtu raportohet se vranë disa persona në Siri, ka krijuar një situatë kaotike në rajon që tashmë është në tension, transmeton Telegrafi.

Ky veprim ndodhi disa orë pasi Izraeli e përcaktoi ndalimin e sulmeve të Hezbollahut si një nga qëllimet kryesore të luftës, dhe njoftoi se kishte penguar një atentat nga grupi iranian kundër një ish-zyrtari të lartë.

Ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Abiad, njoftoi në një konferencë shtypi se nëntë persona janë vrarë dhe 2,750 tjerë janë plagosur në shpërthime, përfshirë 200 që janë në gjendje kritike.

Autoambulancat që transportonin anëtarë të Hezbollahut dhe shumë tjerë, bllokuan pothuajse tërë sistemin shëndetësorë nga numri i madh i të lënduarve.

Hezbollahu njoftoi vdekjen e 12 anëtarëve të saj – një të vrarë në sulme të ndara ajrore nga izraelitët në jug të Libanit – dhe fajësoi Izraelin për shpërthimin e “pagerëve”, duke u zotuar se do të hakmerren.

“Ne e mbajmë përgjegjës armikun tonë – Izraelin për agresionin kriminal”, thuhet në kumtesën e këtij grupi militant – duke u zotuar se “Izraelit do të marrë ndëshkimin për agresionin mëkatar”.

E në mesin e të vrarëve është edhe i bir i një ligjvënësi të Hezbollahut, libanezi Ali Ammar, si dhe vajza 10-vjeçe e një anëtari tjetër të Hezbollahut. /Telegrafi/

 

Exit mobile version