Edhe pse kanë kaluar nëntë ditë nga dita e votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka caktuar një datë për fillimin e procesit të numërimit të votave nga diaspora, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numërimi i këtyre votave mund të fillojë vetëm pasi të përfundojë vlerësimi i votave të ardhura nga jashtë Kosovës.
Deri më tani, rreth gjysma e këtyre votave janë verifikuar.
Sa i përket votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, Elezi sqaroi se numërimi i tyre do të nisë pasi të përfundojë numërimi i votave të rregullta në qendrat komunale të numërimit.
“Numërimi i votave nga jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta do të fillojë pas përfundimit të numërimit në qendrat komunale dhe pasi të kryhet vlerësimi nga shërbimi votues i KQZ-së. Nuk mund të caktoj një datë të saktë, por do t’ju njoftojmë sapo gjithçka të jetë gati,” deklaroi Elezi në një konferencë për media.
Ai theksoi se KQZ-ja po bën përpjekje maksimale për të përfunduar sa më shpejt procesin, duke siguruar një numërim të saktë të votave.
“Përveç shpejtësisë, e rëndësishme është që vullneti i qytetarëve të numërohet me saktësi,” shtoi ai.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i shtetasve të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924.
Nga ta, 20,324 persona ishin regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, ndërsa 15,352 persona kanë realizuar të drejtën e tyre të votës. Përmes postës ishin regjistruar 84,600 votues.
Po ashtu, numri i zarfeve me fletëvotime nga votimi me kusht është 12,801, të cilat do të verifikohen duke u krahasuar me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.
Ndërkohë, votat e personave me nevoja të veçanta janë gjithsej 2,597.