Koalicioni AAK-Nisma sot kanë zyrtarizuar marrëveshjen politike me partnerin e ri që iu bashkua listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, Lista Konservatore.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas nënshkrimit të marrëveshjes ka thënë se janë bërë bashkë për ta ndryshuar gjendjen e rënduar që e ka kapluar Kosovën.
“Në interes të daljes së gjendjes së rënduar e cila ndikon tek të gjithë ne, bashkimi politik AAK-NISMA i bashkohet dhe një organizatë ‘Demokracia Konservatore’. Sot kur po e nënshkruajmë bashkëpunimin tonë politikë e them me bindje që nuk na shtynë ndonjë urrejtje ndaj askujt por dëshira për atdhedashurinë për vendin tonë. Jam i mahnitur nga vlerat njerëzore, duke filluar nga hyjnore. ky bashkim është lajm i mirë për Kosovën, është shpresë për ata që duan ta shohin familjen nën kujdesin shtetërorë”, u shpreh kryetari i AAK-së.
Ndërsa, Fatmir Limaj tha se ky akt sot tregon potencialin dhe nevojë që kanë grupet politike që të bëjnë ndryshime në vend për një jetë më të mirë.
“Njerëzit e vullnetit të mirë dhe që duan ndryshime e që nuk duan të qëndrojnë vëzhgues të vendit të vet po bashkohemi bashk që ta bëjmë më të mirë jetën e njerëzve tonë. Ne po shkojmë drejt një uniteti në diversitet”, tha Limaj.
Marrëveshje Koalicioni me Listën e Konservatore:
1. Bashkimi opozitar AAK-Nisma dhe Lista Konservatore dakordohen se do t’i promovojnë dhe do t’i ruajnë vlerat e përbashkëta konservatore progresive që në qendër kanë shtetin dhe familjen.
2. Palët e pranojnë si obligim të përbashkët krijimin e Ministrisë së Familjes në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
3. Lista Konservatore, si pjesë e këtij koalicioni, fokusohet në promovimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare, kulturore, fetare e etike.
4. Palët zotohen për respektimin e vlerave kombëtare dhe mos cenimi i tyre për asnjë interes politik, partiak apo grupor. Në funksion të kësaj të përcaktohen përmes një ligji të veçantë çështjet me interes kombëtar ku përfshihet mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së.
5. Respektimi i plotë i identitetit kombëtar, fetar dhe diversitetit etnik dhe kulturor në Kosovë, duke u përmbajtur nga çdo deklarim, sjellje apo veprim që cenon ekuilibrat midis identiteteve të vendosura ndër shekuj te shqiptarët.
6. Formimi i Drejtorisë për çështje fetare pranë Zyrës së Kryeministrit, e cila do të ishte në funksion të mbështetjes së bashkësive fetare në Kosovë.
7. Objektivat programore të Listës Konservatore harmonizohen në Programin e përbashkët zgjedhor, që do të hartohet nga një ekip i përbashkët.
8. Pjesëmarrja e Listës Konservatore në Listën për deputetë si dhe renditja në listën zgjedhore rregullohet me një aneks të veçantë. /Telegrafi/