Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të disa bisedave të brendshme që sugjerojnë skenarë për formimin e një qeverie të re të drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në një postim në platformën X, Kica-Xhelili ironizoi këto diskutime, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (VV) se është mësuar të qeverisë përmes aplikacionit WhatsApp.
“Paramendoni, PDK bën qeveri imagjinare në WhatsApp, e VV e merr seriozisht, sepse është mësuar të qeverisë nga WhatsAppi. Nuk e di me kë jeni mësuar ju, por LDK ka zot shtëpie! E, nëse nuk keni dëgjuar, LDK i është kthyer elektoratit të saj! Atij i bindemi! Atij i nënshtrohemi!”, ka shkruar ajo.
Ajo theksoi se LDK do të vazhdojë të punojë në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga negociatat për formimin e një qeverie të re.
“Ky elektorat na kërkon të vazhdojmë kështu si tash. Të punojmë të pavarur, fort, e drejtë – deri në fitoren e madhe! Dritë do të ketë një ditë në Kosovë! Të tjerëve – punë të mbarë në negociata tavolinash”, ka përfunduar Kica-Xhelili.
Reagimi i saj vjen në mes të spekulimeve për mundësinë e një rikonfigurimi politik në vend, ndërsa partitë opozitare vazhdojnë të diskutojnë opsione të ndryshme për qeverisjen e ardhshme.