Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) në konferencën për shtyp që organizoi sot, përgëzoi Zoran Zaev për marrjen e mandatit për të formuar Qeverinë e re në Maqedoni. Ata paralajmëruan se do propozojnë kandidatin e tyre (Nebi Hoxha) për postin e zv.kryeministrit në Maqedoni.
Lidhur me ngjarjet politike në vend, OEMVP si përfaqësuese e komunitetit të biznesit nuk ka qëndruar indiferent dhe vazhdimisht kanë reaguar në vendimet politike.
“Në këto kushte të krizës, biznesi kërkon stabilitet më të madh për biznesbërjen në vend. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore nga qeveria e ardhshme ka kërkuar postin e zëvendëskryeministrit nga radhët e biznesit dhe të njëjtin e ka diskutuar edhe në takimet e realizuara me Zoran Zaev, në të cilat vazhdimisht ka theksuar pjesëmarrjen aktive të biznesit në pushtetin ekzekutiv dhe harmonizim të plotë të interesave të biznesit me politikat qeveritare”
“Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Drejtues të OEMVP-së, me shumicë votash u zgjodh kanditati potencial për zëvendës kryeministër për çështje ekonomike z. Nebi Hoxha, kryetari i OEMVP-së.Me këtë pozitë në qeverinë e re OEMVP pret që të kontribuojë në përmirësimin e komunikimit të pushtetit ekzekutiv me sektorin e biznesit lidhur me problemet dhe dilemat e ndryshme që prekin punën e afaristëve”, njoftuan nga OEMVP.
Nga OEMVP thonë se ajo që nxiti komunitetin e biznesit dhe Odën për një iniciativë të këtillë është lodhja nga paqartësia e ambientit politik, mungesa e parave të gatshme në biznes dhe shumë probleme të tjera që vështirësojnë punën e afaristëve. Andaj në konferencën e sotme, OEMVP vlerësoi se është koha që biznesi të jetë bashkëveprues në përpilimin dhe realizimin në praktikë të politikave ekonomike dhe zhvillimore të shtetit./Telegrafi/