Viti 2022 nuk solli ndonjë risi në ndriçimin e fatit të mbi një mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Madje, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se viti që e lamë pas ka shënuar ngecje të tërësishme të këtij procesi.
“Nuk ka pasur as zbulime të varrezave të reja, si duket ka pasur edhe rënie të bashkëpunimit ndërmjet grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë dhe si pasojë nuk ka pasur rezultate. Viti 2022 është viti që më së paku, qysh prej përfundimit të luftës, ka pasur identifkime të mbetjeve mortore të personave të zhdukur”, tha ai.
Ahmet Grajqevci, kishte shtatë familjarë të zhdukur gjatë luftës, për tre prej të cilëve ende nuk di asgjë. Ai thotë se mungesa e informacioneve dhe pritja e gjatë po rëndon çdo herë e më shumë jetën e familjarëve.
“U shkakton dhimbje, traumë, ngarkesë psiqike. Pritja, çdo herë që e hap derën, ose çdo njeri që i troket në derë thonë ndoshta do ta kemi një përgjigje, ka njeri që e ka një por ka që i kanë dhjetë, pesë apo tërë familjen të zhdukur. Pra kjo është dhimbja dhe krimi më i rëndë që i është bërë ndonjëherë shqiptarëve”, thotë ai.
Zoti Grajqevci, drejtues i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës thotë se Serbia po vazhdon ta trajtoj këtë çështje si politike.
“Në fillim është thënë se do të jetë çështje humanitare, nga çështja humanitare kaloj në politike. Serbia çdoherë politikisht e ka shfrytëzuar rastin për ta treguar një varrezë masive, çdoherë duke përfituar në fatkeqësinë dhe tragjedinë tonë”, thotë ai.
Zoti Blakaj e cilëson zhgënjyes dshtimin për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë për çështjen e të zhdukurve, që është përmendur disa herë gjatë vitit.
“Edhepse deklarativisht që të dy palët shpesh e kanë thënë që çështjen e të zhdukurve nuk e trajtojmë si çështje politike por humanitare, megjithatë kjo për fat të keq nuk po ndodhë. Me vet faktin që nuk është arritur ajo marrëveshje apo së paku nuk janë daokorduar që të kenë një deklaratë të përbashkët për çështjen e personave të zhdukur tregon se sigurisht këtë çështje e trajtojnë si politike dhe jo si çështje humanitare”, thotë zoti Blakaj.
Kushtrim Gara nga Komisionin Qeveritar për personat e zhdukur, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se viti 2022 ka qenë vit i përpjekjeve por edhe i sfidave të mëdha në këtë proces.
“Në rastin e mungesës së informacioneve të besueshme kemi thënë edhe më herët se kjo pashmangshëm ndërlidhet me mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim të palës serbe, e cila nënkupton mungesën e gatishmërisë së tyre për të vënë në dispozicion të këtij procesi të dhënat nga arkivat e tyre, posaçërisht nga arkivat e ish ushtrisë jugosllave dhe policisë serbe”, tha ai.
Zoti Grajqevci është i bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje është në dorën e palës serbe.
“Nuk është kjo se nuk ka arkiv shteti i Serbisë. Ne e dimë që djemtë tanë rrugëtimin e tyre e kanë pasur me autobusë e kamionë për në Serbi, të lidhur në zinxhir e të munduar fizikisht e psiqikisht. Por ne nuk e dimë përfundimin e tyre as vendndodhjen e tyre. Kush mund ta dijë këtë? Mund ta dijë ai që i ka marrë. Për atë po e them që çelësi kryesor është te bashkësia ndërkombëtare për ta bërë një trysni mbi qeverinë serbe”, thotë ai.
Në Kosovë përgjatë vitit janë kryer gërmime në 24 vende, por autoritetet thonë se sfidë mbetet gërmimi i vend varrezave të dyshuara në territorin e Serbisë.
“Janë gjetur dhe zhvarrosur pjesë kockore ose eshtra të të paktën 17 individëve, potencialisht viktima të luftës. Megjithatë numri i saktë i personave të zhvarrosur por edhe identiteti i tyre do të përcaktohet pasi të pranojmë analizat e ADN-së, meqë këto mostra nga mbetjet e gjetura mortore janë dërguar për analiza në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur”, thoti zoti Gara.
Zoti Blakaj thotë se sa i takon ndjekjes penale të krimeve të luftës në përgjithësi viti 2022 ka qenë më i mirë.
“Ka pasur në krahasim me vitin e kaluar pak më shumë aktakuza, megjithatë nuk mund të jemi të kënaqur sepse shumica e aktakuzave janë ndaj individëve që nuk janë përgjegjësit kryesor për kryerjen e krimeve të luftës. Pothuajse në të gjitha rastet ka qenë një i akuzuar në një aktakuzë, pra nuk ka pasur një ndjekje të ndërmarrjes së përbashkët kriminale si krim i luftës”, thotë ai.
Zoti Grajqevci thotë se paqja ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk do të mund të vendoset pa u ndriçuar e vërteta.
“Ne e kemi kot të punojmë për paqen sikur që kemi thënë do të bëjmë pajtim, si të pajtohesh kur dikush nuk kërkon pajtim. Si t’i thuash urdhëro pra ma ke bërë krimin, ke bërë përdhunimin, ma ke vrarë njeriun, ia ke zhdukur varrin e urdhëro po të jap edhe lule e faleminderit? Kjo nuk shkon, këtu duhet drejtësi, familjarët kërkojnë drejtësi, Kosova kërkon drejtësi”, thotë ai.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.