Në vazhdën e luftës kundër kontrabandës në veri të vendit, sot rreth orës 13:30 në fshatin Rudare të Zveçanit, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu kanë ndaluar një automjet, me të cilin po kontrabandoheshin barna.
Sipas njoftimit të Policisë, automjeti i ndaluar ishte një auto-ambulancë që drejtohej nga D.S., viti i lindjes 1965 në Mitrovicë e me banim në Zveçan, transmeton Telegrafi.
“Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, të ngarkuar në të, kanë hasur pako me produkte medicionale me banderola të Serbisë. Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicioanle, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin Policia ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe në koordinim me të, ky rast është duke u trajtuar nga policia.
Por, zyrtarët në Serbi këtij rasti i kanë dhënë konotacion tjetër.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha më herët gjatë ditës se shoferi i autoambulancës, që e identifikoi si Dejan Spahiq, i cili po transportonte infuzione dhe ilaçe nga Leposaviqi në Mitrovicë të Veriut, “u rrëmbye nga njësitë speciale” të Policisë së Kosovës.
Gjatë një konference për media, Petkoviq tha se “rreth orës 14:00, një makinë e njësive speciale ia ka bllokuar rrugën një autoambulance. Katër policë të armatosur e kanë rrëmbyer shoferin Dejan Spahiq, dhe një pjesëtar i njësive speciale ka hipur në autoambulancë dhe ka udhëtuar me të drejt jugut, në një vend të panjohur”.
Petkoviq tha se ky veprim u bë “me urdhër personal” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe paralajmëroi se do të ngrihet një kallëzim penal kundër Kurtit, i cili, sipas tij, “ka vazhduar të terrorizojë popullatën serbe në veri të Kosovës”. /Telegrafi/