Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren sot u bë hapja e edicionit të dytë të Festivalit të Shkathtësive Digjitale 2024.
Festivali në këtë edicion i kushtohet edukimit dhe fuqizimit të pjesëmarrësve mbi konceptin “Twin Transition” në rrugën drejt një bote të gjelbër dhe digjitale. Me një varg sesionesh dinamike, punëtorive dhe bisedash tërheqëse, festivali premton t’iu ofrojë pjesëmarrësve dije dhe njohuri themelore rreth kësaj teme.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Tomas Szunyog shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, transmeton Telegrafi.
Në një fjalim para pjesëmarrësve, ministrja Arbërie Nagavci u shpreh se Parku i Inovacionit në Prizren po ofron hapësira për zhvillim për të gjithë të rinjtë.
“Parku i Inovacionit në Prizren ka vite që tashmë po i ofron hapësirat për zhvillim inovativ për studentët dhe për të rinjtë tanë. Çdo aktivitet këtu prodhon avancim, progres, risi, bashkëpunime dhe miqësi të reja. Dhe kjo është e dukshme në ambientet rreth nesh sot, këtë e tregon edhe prezenca e madhe e të gjithë juve, e tregon disponimi dhe përkrahja e të gjithë neve që jemi këtu”, potencoi Nagavci.
Kurse, ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari pohoi se ndjehet e nderuar që merr pjesë në këtë festival.
“Jam vërtet e nderuar të jem me ju sot këtu në edicionin e dytë të Festivalit të Aftësive Digjitale, një ngjarje që tashmë është bërë një moment kyç në kalendarin e inovacionit dhe digjitalizimit në Kosovë. Prandaj, më lejoni të shpreh mirënjohjen time për organizimin e kësaj ngjarjeje dhe punën që keni bërë ndër vite, si qendër e transformimit digjital këtu në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren përmes programit (Digital for Business)”, tha mes tjerash ajo.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde pohoi se është shumë i lumtur që merr pjesë në Festivalin e Shkathtësive Digjitale, derisa tregoi se ka sjellë edhe vizitorë nga shteti gjerman.
“Është gjithashtu e mrekullueshme të shohësh kaq shumë të rinj këtu. Dhe sapo solla në shtëpi vizitorë nga Gjermania dhe thashë, ju e dini, ne jemi një vend i madh dhe Kosova është një vend i ri. Ky është një ndryshim i madh. Kështu që unë mendoj se është e mrekullueshme që ky festival vjen këtu”, pohoi para të pranishmëve ambasadori Rohde.
Gjithashtu, ambasadori tha ky festival është projekti kryesor i Korporatës Gjermane Kosovare, dhe se Prizren është vendi i duhur për ta mbajtur atë.
Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi se është i lumtur që festivali po tërheq interesin e qytetarëve.
“Festivali i Shkathtësive Digjitale është një mundësi e jashtëzakonshme për të eksploruar kryqëzimet e tranzicionit të gjelbër dhe digjital. Këto tranzicione nuk janë vetëm rrugë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, por janë thellësisht të ndërlidhura. Inovacionet digjitale mund të zhbllokojnë efikasitetin në energjinë e ripërtërishme, bujqësinë e qëndrueshme dhe modelet ekonomike qarkore. Bashkimi Evropian është krenar që e mbështet Kosovën në këtë rrugëtim, duke nxitur rritjen ekonomike, sociale dhe mjedisore. Mezi pres të shoh idetë dhe bashkëpunimet inovative që do të dalin nga ky festival”, u shpreh ai.
Para pjesëmarrësve të këtij festivali foli edhe Simon Floeth, drejtor i Transformimit Digjital në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.
Ai tha se “sot ne e gjejmë veten në një revolucion digjital të vazhdueshëm”, duke shtuar se tani është nevoja urgjente për veprim kundër ndikimit njerëzor në mjedis.
“Kjo vjen tani paralelisht me një nevojë urgjente, do të thosha të pamohueshme për të bërë më shumë kundër ndikimit njerëzor në mjedis, ndikimit njerëzor në klimë. Urgjenca është e lartë, ndryshimi është konstant, por edhe mundësitë para nesh janë të pakufishme”, pohoi ai.
Floeth theksoi se tani duhet përdorur aftësitë digjitale për një ndryshim të vërtetë.
Festivali i Shkathtësive Digjitale është një organizim i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, zbatuar nga ITP Prizren në kuadër të Qendrës për Transformimin Digjital. Festivali po ashtu mbështetet nga disa universitete, publike dhe private në Kosovë të cilët janë pjesë e një platforme bashkëpunuese për fuqizimin e studentëve./Telegrafi/