Në kryeqytet sot janë vendosur katër monitorët për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë.
Këta monitorë të instaluar në katër lokacione të ndryshme të vendit, janë pjesë e projektit të bashkëpunimit teknik të JICA-s – “Projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”.
Monitorët do t’i ndihmojnë qytetarëve në Prishtinë që t’i monitorojnë nivelet e ndotjes së ajrit.
Ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se ky është përkushtim i tyre për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe për rëndësinë që ka ajri i pastër, e që këta të fundit të njoftohen për cilësinë e ajrit në kohë reale.
“Me JICA-n kemi filluar një projekt në vitin 2017 dhe do të vazhdojë deri më vitin 2020. Një projekt në vlerë mbi katër milionë, i cili ka pasur shumë angazhime të përbashkëta gjatë gjithë kësaj kohe, siç është riparimi i qendrave, siç është pajisja e Institutit Hidrometeorologjik me instrumente të reja dhe me instrumente matëse të reja, trajnimi zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit për çështjen e ajrit, siç është matja e parametrave të ndotjes së ajrit edhe nga termocentralet tona dhe çështjet të cilat më parë nuk ishin çështje të njohura edhe për qytetarët edhe për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, tha Matoshi.
Ai shpreson se me këto veprime do të kenë ndikim në përmirësimin e ajrit në kryeqytet.
E, Jiro Takeichi, përfaqësues kryesor i zyrës së JICA-s për Ballkanin ka shpresuar se do të mirëmbahen këta monitorë për një kohë të gjatë, në mënyrë që të shfrytëzohen nga qytetarët.
“Për atë edhe jam i lumtur që po e bëjmë instalimin e katër ekraneve për shfaqjen e të dhënave të cilësisë së ajrit në qendër të qytetit. Tani qytetarët kanë mundësi ta shohin indeksin apo korpusin e cilësisë së ajrit ne kohë reale. Dhe do të jenë më të vetëdijshëm rreth cilësiës së ajrit. Dhe mendojë se vetëdijësimi i qytetarëve duhet ta mbështes vendimarrjen e Qeverisë. Shpresojë që këto kënde do të mirëmbahen për një kohe të gjatë. Dhe shpresoj që këto ekrane do të shfrytëzohen për popullatën, sidomos për edukimin e gjeneratës se re në këtë çështje”, tha ajo.
Letafete Latifi, drejtoreshë e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës ka prezantuar të dhënat në monitorin e vendosur pranë sheshit “Nënë Tereza”, sipas të cilës aktualisht ajri është i pranueshëm, por sipas saj megjithatë duhet të ketë kujdes.
Ajo ka treguar se sa do të jetë kosto e mirëmbajtjes së këtyre monitorëve.
“Afërsisht kosto e mirëmbajtjes, sipas disa vlerësimeve të deritanishme, sillet rreth tre mijë, por është afërsisht, nuk është e saktë kjo vlerë, do të shohim se sa do të shkoj vlera e kësaj gjashtë mujorshit të parë që do të kemi fazën testuese”, tha Latifi.
Latifi tha se do të shikohet mundësia që monitorë të tillë të vendosen edhe në komunën e Obiliqit.
Jiro Takeichi, përfaqësues kryesor i zyrës së JICA-s për Ballkanin po ashtu ka ndarë certifikatën e listës së pajisjeve, e cila do të jepet donacion nga Japonia, për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Katër monitorët për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit janë të vendosur afër MASHT-it, tek ish-Rilindja dhe përballë katedrales “ Nënë Tereza”. /KP/Telegrafi/