Me një solemnitet të organizuar sot në Podujevë, në praninë e shumë qytetarëve, zyrtarëve qeveritarë dhe komunalë, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me bashkëpunëtorë ka bërë përurimin solemn të urës së re të ndërtuar mbi lumin Llap te Parku i Qytetit.
Realizimin e këtij projekti, kryetari Veliu e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për qytetarët e Podujevës.
“Me përurimin e kësaj ure, qytetarëve të Podujevës po ua dorëzojmë një objekt shumë të rëndësishëm. Kjo urë, përveç që do të mundësojë një qarkullim më të lehtë qytetarëve, i ka dhënë edhe një pamje të bukur kësaj pjese të qytetit”, tha kryetari Veliu, duke falënderuar me këtë rast edhe kompaninë “Konstruktori”, për kryerjen e punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe me një cilësi të lartë.
Veliu tha se ndërtimi i kësaj ure nuk është projekti i fundit që do të realizohet mbi lumin Llap në qytet, sepse së shpejti do të fillojnë punimet në ndërtimin edhe të një ure të re dhe rregullimi i pjesës së mbetur të shtratit të lumit.
Në kuadër të projekteve për rregullimin e infrastrukturës, Komuna e Podujevës sivjet ka ndërtuar gjithsej pesë ura. /Telegrafi/