Në Bulevardin e Podujevës është hapur panairi i radhës me produkte tradicionale e artizanale të ndryshme.
Për tre ditë me radhë, qytetarët e Podujevës do të mund të vizitojnë këtë panair, ku mund të gjejnë ushqime të ndryshme tradicionale, veshje kombëtare e artizanale të prodhuara kryesisht nga gratë e Llapit, transmeton Telegrafi.
Në hapjen e panairit mori pjesë Drejtoresha e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lirie Hoti, e cila theksoi rëndësinë e mbështetjes së prodhuesve lokalë të cilët ruajnë kulturën tradicionale. Hoti tha se këto prodhime ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik.
“Ky panair është mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ka për synim promovimin e traditave dhe prodhimeve vendore”, thuhet në njoftimin e bërë nga komuna e Podujevës.
Panairi do të jetë i hapur tri ditë, deri më datën 12 tetor, duke ofruar një gamë të gjerë të produkteve të ndryshme ushqimore tradicionale, artizanale, etj., të përgatitura nga gratë. /Telegrafi/