Site icon Telegrafi

Në një fund dramatik, mbyllet sezoni i Bundesligas: Bayern Munich është kampion për të 11-ën herë me radhë

Bayern Munich ka fituar titullin kampion të Bundesligës për të 11-ën herë me radhë, duke mposhtur Kolnin në udhëtim me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 34-të.

Ishte një fund dramatik në ligën gjermane, pasi Bavarezët ia dolën ta merrnin titullin nga dora e Borussia Dortmundit që barazoi 2-2 në shtëpi me Mainzin.

Pas vetëm tetë minutash lojë, Bayerni kaloi në epërsi me golin e Kingsley Coman, që u asistua prej Leroy Sanes.

Ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel ia doli të shënonte edhe të dytin nëpërmjet Sanes në minutën e 45-të, por që u anulua për lojë me dorë.

Pjesa e dytë nisi me një qetësi – por fundi ishte dramatik, me vendasit që i barazuan shifrat në 1-1, ndërsa kampioni i 11 fisht shënoi edhe të dytin.

Ishte minuta e 81-të e takimit, kur Kolni fitoi penallti dhe ia doli ta konvertonte në gol nëpërmjet, Dejan Ljubicic.

Mirëpo, ky gol nuk demotivoi lojtarët e Bayernit, që ia dolën ta rikthenin epërsinë me golin e Jamal Musiala (89′), ndërsa Serge Gnabry ishte asistuesi.

Kjo fitore e riktheu Bayern Munichut në krye të tabelës me 71 pikë, aq sa edhe Dortmundi që lëshoi titullin nga duart shkaku i golaverazhit, pasi do të ishte i pari për ta që nga viti 2012.

Bavarezët në anën tjetër nuk lejuan që titulli të shkonte te rivali i tyre më i ashpër në këto vite, duke e fituar për të 11-ën herë me radhë. /Telegrafi/

Exit mobile version