Aktori nga Mitrovica, Blerim Peci, ka vdekur më 9 dhjetor 2017, në moshën 44 vjeçare. Ai më shumë ishte i dedikuar ndaj roleve komike, derisa njihet për rolin e tij në serinë familjare “Vikendi”.
Aktori vuante prej kohësh nga një sëmundje e mëlçisë, shkruan Telegrafi.
E të enjten, në ditëlindjen e tij të 51-të, në Mitrovicë u realizua një mural i aktorit për nder të punës dhe kontributit të tij në skenën kinematografike.
Këtë mural të aktorit, Blerim Peci, e realizoi organizata jo-qeveritare që merret me art në Mitrovicë “Futja Ngjyrë”.
Bardhyl Dobroshi nga organizata jo-qeveritare “Futja Ngjyrë”, lidhur me këtë mural në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ideja për realizimin e kësaj vepre ka ardhur nga komuniteti i Mitrovicës.
“Ideja për realizimin e muralit ka ardhur nga komuniteti i Mitrovicës dhe nga dashuria që ka ky qytet për artistin e vet”, ka thënë Dobroshi.
Ai tutje tha se realizimi i muralit të aktorit të ndjerë, Blerim Peci është bërë për katër orë dhe sipas tij, duhet të shtohen edhe disa detaje sepse nuk ka përfunduar tërësisht.
Dobroshi ka treguar se përmes këtij murali kanë dashur ta shprehin respektin që ka Mitrovica ndaj njerëzve që kanë dhënë shumë për vendin e tyre.
Tutje ai bëri të ditur se ky mural është realizuar me ngjyrë bazë dhe sprej.
Ndërsa, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Fahri Jashari, lidhur me këtë çështje në një prononcim për Telegrafin ka thënë se e ndjejnë obligim moral që t’i respektojnë artistët që kontribuuan për vendin.
“Ne e ndjejmë obligim moral dhe qytetar për t’i respektuar figurat e të gjithë artistëve që dhanë shumë për vendin”, ka thënë Jashari.
Jashari ka thënë se para disa ditësh organizata jo-qeveritare “Futja Ngjyrë” ka bërë kërkesë pranë Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), që të marr leje për vendosjen e muralit të aktorit mitrovicas, Blerim Peci, transmeton Telegrafi.
“DKRS ka shqyrtuar kërkesën dhe ka vendos që t’i jap leje në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij”, ka thënë tutje drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Fahri Jashari.
Murali për aktorin e ndjerë është vendosur në objektin e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë. /Telegrafi/