Site icon Telegrafi

Në Kroaci pesë persona në koma, shkak ethet e Nilit Perëndimor

Enti i Shëndetit Publik të Kroacisë (HZJZ) ka njoftuar se nga 10 korriku deri më 10 shtator, kur u shfaq epidemia e etheve të Nilit Perëndimor në Kroaci, në total 39 persona janë prekur nga ethet, prej të cilëve 5 janë në gjendje të rëndë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pesë persona të prekur nga ethet e Nilit Perëndimor ndodhen në Klinikën e sëmundjeve infektive “Fran Mihaljeviç” në gjendje kome të thellë ndërsa frymëmarrja e tyre bëhet përmes aparateve.

Deri më tani nga kjo sëmundje e cila përhapet nga pickimi i mushkonjës në Kroaci ka vdekur një person.

Të dhënat tregojnë se shumica e të prekurve, 35 nga 39, janë infektuar në zonën e Kroacisë lindore dhe veriperëndimore ku numri i mushkonjave për shkak të pellgjeve të lumenjve dhe zonës kënetore është shumë më e madhe se në pjesët tjera të vendit.

“Virusi bartet tek njerëzit, thundraket ose gjitarë të tjerë nga pickimi i mushkonjave të infektuara, më së shpeshti Culex, dhe mund të bartet edhe nga lloje të tjera të mushkonjave (p.sh. Aedes albopictus). Sëmundja nuk bartet nga njerëzit tek njerëzit dhe paraqitet në varësi të aktivitetit sezonal të mushkonjave gjatë muajve të verës dhe të vjeshtës”, thuhet në deklaratë.

Infeksioni më së shpeshti kalon pa simptoma (në 80 për qind të rasteve) ndërsa në 20 për qind të rasteve paraqitet një manifestim i dhimbjes, kryesisht me simptoma të buta të cilat ngjasojnë me ftohje apo grip siç është rritja e temperaturës, kokëdhimbje, dhimbje të muskujve, etj., thonë nga enti kroat.

Sipas Qendrës evropiane të parandalimit dhe luftimit të sëmundjes, deri më 6 shtator në Evropë janë regjistruar në total 1.112 raste të etheve të Nilit Perëndimor ndërsa në të njëjtën periudhë 71 persona kanë vdekur.

Exit mobile version