Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi në “Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit” tha se mision i tyre edhe gjatë pandemisë mbetet mbrojtja e viktimave të krimit, ndërsa gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1277 raste të viktimave, prej tyre 1145 kanë qenë viktima të dhunës në familje.
Lumezi theksoi se po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve seksuale.
Ai tha se edhe përkundër rrethanave të shkaktuara nga pandemia, shërbimet për viktimat e krimit nuk pushuan në asnjë moment.
“Ne kishim një mobilizim të veçantë nga të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në shërbim të viktimave të krimit, duke vepruar në kujdestari 24 orë, në mënyrë që rastet e viktimave të trajtohen me prioritet edhe gjatë pandemisë. Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1277 raste të viktimave, prej tyre 1145 kanë qenë viktima të dhunës në familje. Po ashtu është vërejtur një shtim i rasteve të dhunimeve seksuale, ku gjatë kësaj kohe janë shënuar 23 raste, si dhe 25 raste të tjera të ngacmimeve seksuale”, tha ai.
Sipas tij, janë paraqitur edhe 417 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 19 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente.
Kryeprokurori i shtetit bëri të ditur se ka një numër të konsiderueshëm të viktimave, të cilave iu është kompensuar dëmi nga shteti.
“Vetëm gjatë këtij viti janë bërë 36 kërkesa për kompensim të viktimave në Ministri të Drejtësisë, ku 6 prej tyre tashmë janë aprovuar, ndërsa kërkesat e tjera akoma janë në shqyrtim. Prandaj, me plotë të drejtë mund të themi se viktimat e krimit ngadalë, por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre në përputhje me standardet evropiane dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, është thelbësor forcimi i mëtejshëm i një sistemi të drejtësisë që mbron dhe promovon të drejtat themelore të njeriut, ashtu siç janë të garantuara me konventat ndërkombëtare, Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
“Duhet ta nënvizojmë faktin se Republika e Kosovës ka bërë përparim të konsiderueshëm në trajtimin e viktimave të krimit dhe avancimin e legjislacionit bashkëkohor, duke u bërë kështu prijëse në rajon në mbrojtjen e viktimave. Në këtë drejtim, vlen të theksohet se ka filluar edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit, i cili synon të krijojë qasje të menjëhershme në realizimin e të drejtës për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor”, tha ai.
Së fundmi, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës është pasuruar me miratimin e amendamentit kushtetues, në bazë të të cilit, Konventa e Stambollit bëhet pjesë e aktit më të lartë juridik, duke dhënë në dorë një instrument të rëndësishëm për parandalimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
“Po ashtu, krahas koordinatorëve nëpër prokurori për trajtimin e rasteve të dhunës në familje të caktuar që nga viti 2017, këtë vit kam caktuar edhe prokurorin përgjegjës në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili do të shërbejë si pikë kontakti lidhur me rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe kam kërkuar nga secili kryeprokurorë në prokuroritë përkatëse ta caktojnë një prokuror përgjegjës për këto raste, duke demonstruar kështu përkushtim të palëkundur institucional në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale”, tha më tej Lumezi.
Sipas tij, përkundër faktit se është bërë përparim në trajtimin e viktimave të krimit, akoma duhet bërë edhe më shumë në mënyrë që këto raste të marrin vëmendjen e duhur nga sistemi i drejtësisë.
“Sfida jonë e përbashkët është që ta kuptojmë se nuk ka drejtësi nëse nuk arrihet drejtësia për viktimat e krimit dhe rehabilitimin e plotë të tyre. Dhuna është sëmundje, e cila e dëmton secilin njeri që e përdorë atë. Prandaj, të gjithë ne do të angazhohemi pandërprerë në sanksionimin e të gjithë autorëve të veprave penale dhe do të jemi në mbrojtje të jetës njerëzore nga çfarëdolloj akti i dhunës dhe kërcënimit”, tha kryeprokurori i shtetit. /Telegrafi/