Site icon Telegrafi

Në Gjeorgji, Rusia sapo ka shënuar një tjetër fitore kundër demokracisë liberale

Mbështetësit e Ëndrrës Gjeorgjiane shënojnë fitoren në Tbilisi, më 26 tetor 2024 (foto: Zurab Javakhadze/Reuters)

Nga: Natalia Antelava / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Pasi partia qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane (GD) – e drejtuar nga oligarku Bidzina Ivanishvili – siguroi një shumicë parlamentare në zgjedhjet e së shtunës, reagimi nga Moska ishte entuziast. “Gjeorgjianët fituan. Bravo!” – shkroi Margarita Simonyan, drejtoresha e transmetuesit shtetëror rus RT, në X [ish-Twitter].

Ndërkohë, një mik i dëshpëruar më dërgoi një mesazh të dielën në mëngjes, duke thënë se ndihej sikur “ishte zgjuar në Rusi”.

Pyetja kryesore gjatë zgjedhjeve ishte nëse Gjeorgjia do të vazhdojë rrugën drejt orbitës ruse apo do të ndryshojë kurs për të përqafuar Evropën. Por, me raportet për parregullsi në votime dhe me partinë më të madhe të opozitës, Lëvizja Kombëtare e Bashkuar (UNM), që e hodhi poshtë hapur rezultatin, zgjidhja e kësaj çështjeje duket e pamundur për një kohë të gjatë.

Ivanishvili ka qenë në pushtet që nga viti 2012, kur themeloi partinë GD dhe arriti një fitore të thellë kundër ish-presidentit Mikheil Saakashvili, të cilit Putini i famshëm i premtoi se do “ta varte për testikujt” dhe që aktualisht është në burg në Tbilisi. Që nga ajo kohë, Ivanishvili e ka afruar Gjeorgjinë drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me Rusinë – fillimisht në fshehtësi dhe ngadalë, ndërsa në vitet e fundit hapur dhe në mënyrë agresive.

Kjo ka shkaktuar shumë tensione në shoqëri. Gjeorgjianët ishin lodhur nga qeverisja e Saakashvilit, e cila po bëhej autokratike, por shumë prej tyre ishin të përkushtuar për t’u kthyer drejt Evropës. Për shekuj, figurat e shquara të Gjeorgjisë kanë kultivuar idenë e Evropës si një mënyrë për të mbrojtur gjuhën dhe identitetin gjeorgjian nga shtypja e fqinjëve: persëve, osmanëve dhe, gjatë dy shekujve të fundit, rusëve. Kushtetuta moderne gjeorgjiane kërkon një aleancë më të ngushtë me Perëndimin, veçanërisht me BE-në dhe NATO-n.

Edhe qytetarët që ishin zhgënjyer tashmë nga Ivanishvili, u tronditën kur qeveria vendosi të mbështeste hapur Moskën kundër Kievit në vitin 2022. Ukraina kishte mbështetur Gjeorgjinë në të gjitha konfliktet e saj, përfshirë pushtimin më të fundit nga Rusia në vitin 2008. Qëndrimi i qeverisë ndihej si një tradhti.

Në vitet që pasuan, GD-ja miratoi ligje shtypëse të stilit rus, nisi sulmet brutale ndaj aktivistëve, shënjestroi komunitetin LGBTQ+ dhe nisi fushata shpifjeje sipas modeleve të Kremlinit. Deri në vitin 2024, qindra-mijëra qytetarë protestonin rregullisht kundër qeverisë, të udhëhequr nga të rinjtë që kërkonin që Gjeorgjia të qëndronte në kursin evropian.

Zgjedhjet u panë si e vetmja mënyrë demokratike për ta larguar vendin nga përqafimi gjithnjë e më i fortë i Ivanishvilit dhe Rusisë – ndoshta vota më vendimtare në historinë e vendit që prej referendumit për pavarësi në vitin 1991. Sondazhet, përfshirë edhe exit poll-et tradicionalisht të besueshme, vendosën opozitën në një epërsi të qartë. Ditën e votimit, pjesëmarrja ishte aq e lartë saqë në disa qendra votimi njerëzit prisnin me orë të tëra për të votuar.

Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se partia GD mundi opozitën pro-evropiane dhe siguroi një mandat të katërt. Lista e parregullsive të regjistruara ishte e gjatë. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) raportoi për “frikësim, detyrim dhe presion mbi votuesit”, ndërsa raportet e tjera detajojnë mospërputhjet e dyshimta në numërimin e votave, dhunë dhe manipulime. Rezultati do të sfidohet, edhe pse ndoshta do të jetë e kotë të luftohet për drejtësi në gjykata të kontrolluara nga një oligark.

Në javët në vijim, opozita në Gjeorgji do të përpiqet të mobilizojë mbështetësit për të dëshmuar se zgjedhjet u manipuluan. Por, ata duhet të përballen me faktin se GD performoi më mirë nga ç’pritej, të paktën pjesërisht falë një fushate agresive që fokusohej në frikësim: mesazhi i partisë qeverisëse barazonte opozitën me një tjetër luftë me Rusinë. Fushata e tyre përfshinte tabela që krahasonin rrënojat e qyteteve ukrainase me peizazhet e qeta të Gjeorgjisë. Kjo strategji rezultoi e suksesshme në një vend ku Rusia ende pushton 20 për qind të territorit dhe kujtimet e pushtimit të vitit 2008 janë ende të freskëta.

Rezultatet e zgjedhjeve mund të sfidojnë logjikën dhe shpresën për shumë gjeorgjianë, por përputhen në mënyrë shqetësuese me trajektoren e gjerë globale. Gjatë dekadës së fundit, aleancat oligarkike, dezinformimi, abuzimi me teknologjinë dhe dhuna e zgjedhur kanë gërryer themelet e shumë shoqërive. Humbësit nuk janë vetëm opozita gjeorgjiane dhe mbështetësit e saj, por të gjithë ata që besojnë në vlerën e lirisë. Fituesit e vërtetë nuk janë politikanët gjeorgjianë, madje as oligarku që i drejton ata, por ata që vendosin paratë dhe pushtetin mbi vlerat e përbashkëta.

Në rastin e Gjeorgjisë, fituesi më i madh është Kremlini, i cili sapo ka fituar një betejë në luftën e tij globale kundër demokracisë liberale. Opozita gjeorgjiane është e destinuar të dështojë nëse nuk merr vëmendje të përqendruar nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. Por, me tragjedinë që ka përfshirë Lindjen e Mesme, dramën e zgjedhjeve në ShBA dhe urgjencën e luftës në Ukrainë, ngjarjet në Gjeorgji do ta kenë të vështirë të tërheqin vëmendje.

Kushdo që dëshiron të kundërshtojë ndërhyrjet më të mëdha të Rusisë në botë, duhet të kujtojë Gjeorgjinë. Ishte këtu kur u plasarit perandoria sovjetike më 9 prill 1989, kur Moska dha urdhrin që trupat e saj të hapnin zjarr mbi protestuesit paqësorë pro-pavarësisë në Tbilisi. Arsyeja pse perandoritë shemben nga skajet është se rezistenca e vërtetë gjithmonë vjen nga periferitë. Ndihma për të rikthyer demokracinë e Gjeorgjisë, atë do ta mbajë gjallë diku tjetër. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version