Kompania Bechtel – Enka është në fazën përfundimtare të kryerjes së punimeve në ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.
Punët sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, janë në fazat e funti dhe se kjo autostradë do të lëshohet për qarkullim në drejtim të Maqedonisë më 29 maj.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë se pas kryerjes së punimeve autostrada “Arbën Xhaferi do të jetë e gatshme për qarkullim.
“Jemi në fazën dhe në ditët e fundit të kompletimit të punimeve në përfundimin e Autostradës ‘Arbën Xhaferi’ e përurimi dhe qarkullimi i automjeteve do të ndodhë më 29 maj”, tha Kadriu për Telegrafi.
Ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të autostradës do të bëhet një raport përfundimtarë nga kompania mbikëqyrëse “Hill” për koston përfundimtare.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës i ka paguar kompanisë Bechtel-Enka 53 milionë euro shtesë për shkak të vonesës në kryerjen e pagesave për punët e kryera nga kjo kompani. Por pavarësisht se punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” kanë pasur të përfundojnë më 31 dhjetor të vitit të kaluar ato nuk janë kryera.
Ministri Pal Lekaj ka premtuar se do të ketë “ndëshkime” për kompaninë Bechtel-Enka për shkak të vonesave në kryerjen e punëve në këtë autostradë. /Telegrafi/