Nënkryetarja e PDK-së, ka reaguar pas akuzave që ka bërë ndaj saj deputeti i LVV-së Artan Abrashi në lidhje me një foto me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal.
“Një përpjekje qesharake e eksponentëve të VV-së për të shpërndarë mjegull”, i ka quajtur Çitaku këto akuza.
Ajo thotë se fotot në fjalë me ish-agjentin e FBI-së janë bërë në një takim zyrtar në vitin 2017.
“Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger”, ka sqaruar Çitaku.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA thotë se ngjashëm ishte ftuar edhe në State Department, CIA etj.
“Ky ka qenë nderë që i është bërë Kosovës”, ka vijuar tutje Çitaku.
Në fund ajo ka ironizuar me Qeverinë: “E tash, si e keni Martinin?, duke iu referuar ambasadorit të Kosovës në Kroaci i cili është përfoluar për përfshirje në afera korruptive.
Deputeti i LVV-së Artan Abrashi kishte kërkuar sqarime nga nënkryetarja e PDK-së për raportet që kjo e fundit ka pasur me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal.
“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, ka kishte shkruar Abrashi në Facebook.
Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.
Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri./Telegrafi/