Site icon Telegrafi

Ndotja e ajrit: Të mërkurën protestë në Prishtinë

Niveli i ndotjes së ajrit është rritur bashkë me shqetësimet për shëndetin, javëve të fundit në Prishtinë.

Rreth kësaj çështje në kryeqytet do të organizohet një protestë në shenjë indinjate ndaj institucioneve vendore për neglizhimin e situatës.

Protesta do të mbahet gjatë ditës së mërkurën në Prishtinë.

Thirrje për protestë është duke u bërë në rrjetin social në Facebook.

Prishtinasit po kërkojnë që çështja e ndotjes së ambientit të merret më seriozisht nga ana e Qeverisë dhe pushtetit lokal.

“Pra, është koha e qytetarit dhe një proteste për të gjetë zgjidhje rreth kësaj problematike të rrezikshme. Ne, qytetarët e Prishtinës, kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga Qeveria dhe Pushteti Lokal. Koha po kalon dhe ne nuk po shohim asnjë plan më konkret e të detajizuar për ta zgjedhë problemin e ndotjes. Secili jemi viktimë, dhe askush nuk pret një mrekulli me shkop magjik për problemin”, thuhet në përshkrimin rreth protestës.

Protesta do të organizohet më 31 dhjetor (e mërkurë), ora 12:00 – Para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Ndërkohë që alarmin rreth ndotjes së ambientit e ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke u sugjeruar kosovarëve që të dalin në qytet me maska, përcjell Telegrafi.

Pasditen e  së dielës ka reaguar edhe partia Ekologjike cila ka kërkuar nga Qeveria që ta marrë me më shumë seriozitet ndotjen. Një hapje e dritares e tregon realitetin e ndotjes së tmerrshme të ajrit në Prishtinë, dhe mushkëritë tona si dhe shëndeti ynë po shkatërrohet duke u ekspozuar në këtë ajër, mjegull e smog.

E ndërkohë Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj ka lëshuar një reagim të gjatë në Facebook, të cilin e ka shkruar nga Estonia. Aty ka shkruar se problemi i ndotjes së ambientit nuk mund të zgjidhet me shkop magjik. Në mënyrë cinke, ajo ka shkruar se bashkë-ndjen me gjendjen e krijuar në Kosovë.

Tutje, edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shkruar një reagim, për ndotjen në Prishtinë. Ka thënë se po bisedon me Qeverinë dhe institucionet tjera për zvogëlimin e ndotjes. Ka thënë se po bëhen plane për zvogëlimin e ndotjes nga veturat dhe termocentralet.

Madje, Shefi i Prishtinës, ka gjetur edhe fajtorin pse po dalin të dhëna kaq të këqija për ajrin në Kryeqytet. Ka thënë se matësit e Ambasadës Amerikanë ndodhen në pjesën më të ndotur të Prishtinës prandaj po dalin të dhëna të tilla.

Asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sokol Havolli, ka thënë se nga nesër do të fillojë të kërkojë nënshkrimet e të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës për seancë të jashtzakonshme lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit në Kryeqytet.

“Në këtë seancë do të parashtrojmë problemin që tashmë eshtë sikur elefanti në dhomë, dhe do të shprehim me të gjithë asambleistët e nënshkruar gatishmërinë që përmes vendimarrjes së Kuvendit Komunal të merrem hapa të nevojshëm për periudhën afatshkurtë, por edhe të obligohet ekzekutivi që në periudhë afatgjatë të adresoj problemin e ajrit të ndotur”, ka thënë Havolli./Telegrafi/

Exit mobile version