Nëse dikush do t’ju pyeste në një ditë të zakonshme se “a e doni partnerin/en?”, me gjasë që do të përgjigjeshit me “po” pa u menduar dy herë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se në një tjetër ditë të caktuar, nxitur nga rrethana specifike, të keni ndjesinë se e urreni
Kjo ndjenjë jo detyrimisht përkthehet në urrejtje të mirëfilltë nëse i referohemi shpjegimit të foljes “urrej” – ndjenjë e fortë armiqësie për dikë a diçka; dëshirë e forta për ta parë keq tjetrin.
Në vijim gjeni një listë me disa gjëra që duhet të dini nëse përballeni me një situatë të tillë (via Healthline).
Kupto që ndjenjat e tua janë krejtësisht normale
Një seri eksperimentesh në vitin 2014, zbuluan se mendimet për partnerin/en mund të provokojnë emocione negative dhe pozitive. Thënë kjo, që është e mundur që ta doni dhe urreni njëkohësisht një person.
Këto eksperimente zbuluan gjithashtu se ndjenjat negative shpesh janë të fshehura, do të thotë që nuk jeni të vetëdijshëm për to shumicën e kohës. Marrëdhëniet romantike dhe dashuria në përgjithësi janë të ndërlikuara.
Pavarësisht se sa shumë kujdeseni për dikë, sa shumë e doni dhe përkushtoheni, ai/ajo nuk do t’ju bëjë të lumtur gjatë gjithë kohës. Do të ishte e çuditshme nëse në një marrëdhënie s’do të përjetonit kurrë zemërim, inat, madje edhe urrejtje dhe neveri.
Përpiqu t’i qartësosh ndjenjat
Urrejtja është një nga emocionet më të forta njerëzore, por ne e përdorim edhe në raste si “i urrej bamjet” apo “oh Zot, sa i urrej të hënat”.
Jo detyrimisht i urreni të hënat, por thjesht nuk duroni dot ngarkesën që ka zakonisht fillimi i javës. Me fjalë të tjera, edhe gjatë marrëdhënies, mund të jeni të zemëruar, të zhgënjyer, të lënduar, të hutuar dhe të tradhtuar – ose të keni një kompleks emocionesh bashkë.
Në këtë pikë, ka rëndësi të qartësoni se çfarë ndjeni në të vërtetë, pasi të kuptuarit më të mirë të ndjenjave mund t’ju ndihmojnë të filloni të kuptoni problemin me partnerin/en.
Pusho pak
Nëse po qëndroni me partnerin dhe ndjeni atë ndjesinë e urrejtjes, përpiquni ta shmangni njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk është ide e keqe që në një konflikt ose situatë të tensionuar t’i jepni vetes hapësirë.
Provoni të shkoni për një shëtitje, të largoheni nga dhoma, të meditoni, të qëndroni vetëm duke dëgjuar muzikë. Kështu do t’i menaxhoni më mirë emocionet.
Sigurohu që ke hapësirën tënde
Pavarësisht se çfarë mund t’ju sugjerojnë librat dhe filmat romantikë, nuk është e thënë që ti dhe ai/ajo të bëni gjithçka së bashku.
Koha larg njëri-tjetrin ju jep më shumë kohë për t’u marrë me hobit tuaja dhe ta shihni ndryshe marrëdhënien. Koha e kaluar vetëm do t’ju ndihmojë që të pajtoheni më shpejt.
Kushtoji rëndësi çfarë po ndodh me ty
Nëse po përballeni me diçka që ju shqetëson, me gjasë mund të reagoni keq edhe ndaj gjërave më të zakonshme.
Ka rëndësi që t’i diskutoni me partnerin/en këto sfida të përditshmërisë. Ata mund të mos jenë zgjidhja e problemeve, por do t’ju mbështesin dhe mirëkuptojnë.
Shqyrto nëse marrëdhënia po i përmbush nevojat e tua
Të paturit e ndjesisë sikur urren partnerin/en mund të sugjerojë se marrëdhënia nuk po funksionon. Kjo nuk do të thotë detyrimisht që keni bërë diçka gabim.
Ndonjëherë njerëzit nuk përputhen, në një fazë të caktuar të jetës. Sidoqoftë, është e rëndësishme të mbani mend se të gjitha marrëdhëniet kanë sfidat e tyre, veçanërisht kur njëri ose të dy partnerët përballen me ndryshime.
Para se të vendosni se marrëdhënia nuk ka të ardhme, zakonisht ia vlen të bisedoni me njëri-tjetrin. Ndoshta raporti nuk ka shpëtim, por s’keni si ta dini nëse nuk flisni.
I/e sigurt që është urrejtje?
A po përjetoni vërtet urrejtje dhe neveri, apo mund t’i vini një emër më specifik emocionit? Pasi ta keni më të qartë çfarë ju shkakton ndjenjën si “urrejtje”, mund të bisedoni me partnerin/en.
Ndrysho këndvështrimin
Ka dy anë të medaljes apo jo? Ju vërtet jeni të irrituar dhe zemëruar, por gjithmonë një histori ka dy anë. Me fjalë të tjera, pyesni veten se çfarë mund të keni bërë gabim në një konflikt a situatë, këshillon Anabel.
Fol me dikë të cilit/ës i beson
Ndonjëherë, ndarja e mendimeve “të errëta” me njerëz që i doni dhe besoni mund t’ju ndihmojë të ndiheni më mirë dhe të merrni një kënvështrim ndryshe. Diskutimi i ndjenjave mund të ndihmojë në normalizimin e tyre.
Përqendrohu te gjërat pozitive
Ndoshta ai/ajo ju zemëroi sot. Po dje? Po një muaj më parë? Të menduarit për gjërat pozitive, shpesh mund të ndihmojë në zbutjen e zemërimit. Vetëm sigurohuni që nuk bëhet fjalë për diçka serioze.
Kontakto me një terapist
Ok, ndoshta nuk e urreni vërtet, por urreni diçka që ai/ajo bën. Disa gjëra nuk zgjidhen lehtë dhe kanë nevojë për terapi në çift.
Një terapist mund t’ju ndihmojë që të shihni më mirë konfliktet dhe të zhvilloni strategji më produktive komunikimi. /Telegrafi/