Site icon Telegrafi

Ndërtesën që nuk ia miratoi Jahjagës, Thaçi e dëshiron për vete

Kërkesën të cilën Hashim Thaçi nuk ia kishte miratuar presidentes Atifete Jahjaga, tani atij do t’ia miratojë kryeministri Isa Mustafa.

Bëhet fjalë për zhvendosjen e Zyrës së presidentit nga Kuvendi i Kosovës, ku gjendet aktualisht, në objektin e ish-Komitetit, i cili shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, si dhe nga Ministria e Bujqësisë, shkruan sot Koha Ditore.

Në Presidencë kanë konfirmuar ekzistencën e kërkesës e deponuar në Kryeministri në fillim të vitit 2014, por nga e cila pak kohë më vonë presidentja ishte tërhequr pas përllogaritjes së kostos për rinovimin e objektit.

Nga Zyra e kryeministrit kanë heshtur për këtë çështje, megjithëse zëdhënësi Arban Abrashi javën e kaluar ka premtuar se do të ofrojë sqarime të detajuara.

Ministria e Administratës Publike zyrtarisht thotë se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për ndërrimin e lokacionit.

Por, disa burime nga disa dikastere të Qeverisë i kanë thënë gazetës se punjonësit e dy ministrive tashmë janë paralajmëruar se do të transferohen diku tjetër, për t’ia liruar vendin presidentit dhe stafit të tij.

Mbetet e paqartë nëse Presidenca do ta shfrytëzojë komplet objektin ose jo.

Exit mobile version