Ligjvënësi rus ka propozuar trajnimin e qenve endacakë “të mëdhenj” dhe “agresivë” për misionet në fushën e betejës në Ukrainë, sipas një videoje të shpërndarë në mediat ruse.
Sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, një kanal rus Telegram postoi të martën një video nga transmetimi televiziv parlamentar i vendit që tregonte deputetin e Dumës së Shtetit, Fedot Tumusov, duke sugjeruar që qentë e pastrehë të trajnohen për përdorim luftarak.
Moscow Times raportoi se Tumusov e solli idenë gjatë një diskutimi rreth ndryshimeve të mundshme të një ligji që u jep rajoneve në Rusi të drejtën për të eutanizuar qentë endacakë.
Propozimi i Tumusov vjen pasi ushtria e Kievit raportoi se kërkimet e saj tregojnë se Rusia ka pësuar më shumë se 200,000 vdekje të trupave në Ukrainë që kur filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë pothuajse 15 muaj më parë.
Newsweek shkruan se nuk mund ta verifikonte në mënyrë të pavarur shifrën.
Ndryshe, shumë raporte të tjera në muajt e fundit kanë thënë gjithashtu se ushtarët e presidentit rus Vladimir Putin janë bërë gjithnjë e më të pakënaqur me dërgimin në vijën e parë të luftës, pavarësisht mungesës së përvojës luftarake.
“Ne kemi shumë ekspertë në vendin tonë që mund t’u mësojnë qenve të gjitha llojet e aftësive të ndryshme”, citohet të ketë thënë Tumusov. “Ata do të stërvitnin qen të mëdhenj dhe agresivë dhe do t’i dërgonin në zonën e [luftës]. Le të ndihmojnë në nxjerrjen e të plagosurve, të marrin pjesë në çminim”.
Tumusov është një figurë e njohur në Rusi dhe është përfshirë në politikë për më shumë se tre dekada.
Ai gjithashtu është sanksionuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e tij ndaj luftës së Putinit në Ukrainë.
E Anton Gerashchenko, një këshilltar i ministrit të punëve të brendshme të Ukrainës, ndau të mërkurën në Twitter klipin e sugjerimit të Tumusov për qentë.
In case you were wondering about the level of insanity in Russia:
Russian MP suggested training aggressive stray dogs and sending them to the "special military operation" zone – to de-mine and carry the wounded. pic.twitter.com/HvW0s3e0Oo
— Anton Gerashchenko (@Gerashchenko_en) May 17, 2023
“Në rast se po pyesni veten për nivelin e çmendurisë në Rusi”, shkroi Gerashchenko në mbishkrimin e postimit të tij në Twitter.
Ndërsa Jason Jay Smart, një këshilltar politik për politikën post-sovjetike dhe ndërkombëtare, ka thënë për Newsweek se ai mendon se sugjerimi i Tumusov “është tregues i faktit që rusët e kuptojnë se gjërat po shemben – shpejt”.
“Shikoni ndryshimin radikal midis ‘teknologjisë së re’ ruse – trajnimit të qenve endacakë – kundrejt ‘teknologjisë së re’ të Ukrainës të raketave Patriot me vlerë gati një miliard dollarë dhe tani përpjekjeve për të dërguar F-16 në Ukrainë”, ka thënë Smart. “Rusia po i afrohet humnerës”.
Numri i madh i qenve endacakë në Rusi ka qenë një çështje e debatit publik për vendin muajt e fundit.
Gazeta ruse Novaya Gazeta raportoi muajin e kaluar se një qytet, Chita, madje shpalli gjendjen e gatishmërisë së lartë për shkak të rritjes së sulmeve të qenve endacakë. Alarmi paralajmëroi banorët që të mos i linin fëmijët dhe të moshuarit jashtë të pashoqëruar. /Telegrafi/