Lajm i hidhur vie sot nga futbolli pejan e kosovar.
Siç raportoi ‘Njeshi’ gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, futbollisti i njohur pejan i brezit të Republikës, Eroll Krasniqi është ndarë nga jeta në moshën 54 vjeçare.
Dyshimet e para flasin për atak kardiak, të cilit veterani i K.F. ‘Besa’, Eroll Krasniqi fatkeqësisht nuk ja doli ti mbijetoj, duke ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Kanada, prej ku jetonte tash e disa vite.
Eroll Krasniqi ka lindur më 20 Prill të vitit 1967 në Pejë. Ishte 54 vjeçar.
Eroll Krasniqi, në fushën e gjelbër shquhej dhe shkëlqente si mesfushor i krahut të majtë, por që i suksesshëm ishte në të gjitha pozicionet.
Me rastin e vdekjes së Eroll Krasniqit, futbolli pejan ka rënë në zi.
Brezi dhe gjenerata e të ndjerit kanë reaguar me dhembje të madhe.
Miku dhe bashkëlojtari i tij, në futbollin paralel të brezit të Republikës, ish-zv/Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, aktualisht Drejtor i ‘RADIO 1’ Arbër Grabovci e ka kujtuar me fjalë prekëse.
“Shumë i rëndë lajmi që mora për vdekjen e shokut tim të dashur Eroll Krasniqi. Koha që kaluam bashkë do të jetë i vetmi ngushëllim që më mbetet për ty miku im.”-ka shkruar Grabovci./Njeshi&RADIO 1/