Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ndërprerë seancën e jashtëzakonshme pasi Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK) ndërpreu transmetimin e kësaj seance e cila ishte thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Deputetët e opozitës shkuan që të protestojnë para objektit të RTK-së, si dhe të dërgonin transkriptet e fjalimeve të tyre, por, atyre nuk u është lejuar hyrja në objekt.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe bordit që të japin dorëheqje.
“Tashmë aty ku ka arritur RTK-ja është jashtëzakonisht e frikshme. Para një periudhe disamujore u përballëm edhe me cenim të jetës së disa gazetarëve nga dy mediume shumë të respektuara në vendin tonë. Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro, në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë.
E, zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, e duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo. Pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë.
Kapelat e zeza të Dejonës sot në RTK munden me mbyllë derën, edhe pak, por jo edhe gjatë. Sot çdo qytetar i vendit tonë e sheh abuzimin e tyre, e ndien abuzimin e tyre”, ka thënë Tahiri.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se 9 shkurti tashmë është i largët kur LVV-ja do ta marr çmimin për çfarë janë duke iu bërë qytetarëve.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se RTK duhet të jap llogari për ndërprerjen e transmetimit.
Ai tha se gjersa në seancë po trajtohej për skandalet e Qeverisë, RTK-ja ndërpret atë për një konferencë të kryeministrit, Albin Kurti.
“Institucioni që jemi është RTK, i themeluar nga Kuvendi, dhe ky institucion i jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat janë obligim ligjor e kushtetues që të transmetohen…Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie, ndalet për një konferencë të Kurtit, tregon shumë qartë për një regjim të Kurtit, që don me ndal fjalën dhe të mashtrojë popullin për të bëmat e tyre. Ku ka logjikë duke shku Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të ndalohet transmetimi? Kush e ka dhënë atë vendim? “, ka thënë Tahiri.
Tahiri tha se tendenca e kësaj Qeverie është që të mbytë fjalën e lirë.
“Kërkojmë nga ky institucion mos ta monopolizojnë dhe privatizojnë, pasi është i Kuvendit dhe nuk do të rrimë larg kësaj”, tha ndër të tjera Tahiri. /Telegrafi/