Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar për ndarjen nga jeta të Profesor Dr. Isuf Dedushaj, një prej figurave më të shquara të mjekësisë në Kosovë.
Profesor Dedushaj, mjek-epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë, ka shërbyer ndër vite si drejtues i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, duke dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e shëndetësisë publike dhe edukimin e brezave të rinj të mjekëve.
Jeta dhe karriera akademike
I lindur më 10 tetor 1951 në Vuthaj, ai ndoqi studimet e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, të cilat i përfundoi në vitin 1976. Pas specializimit në epidemiologji, ai u bë epidemiologu i parë shqiptar në Kosovë. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Sarajevë, duke magjistruar në vitin 1983, ndërsa doktoraturën e mbrojti në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1986.
Në karrierën e tij akademike, Dedushaj ka qenë profesor ordinar i Epidemiologjisë dhe ka shërbyer si prodekan i Fakultetit të Mjekësisë në dy mandate (1992-1996). Përveç kësaj, ai ka udhëhequr mbi 100 specializantë dhe ka mentoruar dhjetëra doktorantë dhe magjistrantë në fushën e mjekësisë.
Kontributi shkencor dhe shëndetësor
Gjatë jetës së tij profesionale, ai publikoi mbi 112 punime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj dhe ishte autor i disa monografive dhe teksteve universitare në fushën e epidemiologjisë dhe imunoprofilaksisë. Po ashtu, ai ishte redaktor përgjegjës i revistës “Shëndeti” për një dekadë dhe ka shërbyer si kryetar i Asociacionit të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në vitin 2019, ai botoi “Enciklopedinë e doktorëve të shkencës së mjekësisë shqiptare gjithandej globit”, një vepër e rëndësishme për dokumentimin e kontributit shqiptar në shkencën mjekësore.
Largimi me dhunë nga puna dhe angazhimi në Kryqin e Kuq
Dedushaj u largua me dhunë nga puna në vitin 1990 për shkaqe politike dhe etnike, por nuk hoqi dorë nga përkushtimi i tij për shëndetësinë. Për gati një dekadë, nga viti 1992 deri në 2001, ai drejtoi Kryqin e Kuq të Kosovës, duke ndihmuar në ofrimin e ndihmës humanitare në kohë të vështira.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, kolegët dhe studentët e tij, duke vlerësuar lart kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mjekësinë dhe shëndetësinë publike shqiptare.