Ardian Ismajli duket i destinuar të përfundojë te gjiganti italian Napoli.
Interesimi nga klubet e tjera të mëdha të Serisë A si Juventusi dhe Interi nuk mungon, por klubi napolitan duket më i gatshëm të presë krahëhapur mbrojtësin i cili po bën shumë mirë në Serinë A.
Ismajli do të jetë lojtar i lirë në verë pasi i mbaron kontrata me Empolin dhe të tre klubet e mësipërme po presin këtë largim të tij për të siguruar futbollistin pa shpenzime për kartonin e tij.
Normalisht pritet që të tre klubet të bëjnë ofertat për lojtarin dhe pastaj Ismajli të vendosë për më të mirën.
Por në këtë pikë, Napoli duket se ka gati strategjinë për të mposhtur konkurrencën.
Gazeta italiane ‘Il Mattino’, ka zbuluar se napolitanët janë gati t’i bëjnë një ofertë ekonomike Empolit që të lërë të lirë lojtarin që në janar.
Sipas saj, një shifër prej 2 milionë eurosh do të ndihmojë Napolin të fitojë garën me Juven dhe Interin, pasi kjo shumë do të mjaftonte për të bindur Empolin të linte lojtarin të largohej 6 muaj para fundit të kontratës.
Duke pasur parasysh nevojën e Napolit për t’u përforcuar në çdo repart dhe kapacitetet ekonomike, shpenzimi i një shifre të tillë është lehtësisht i përballueshëm. /Telegrafi/