Telegrafi

​Nagavci: Familjeve që nuk kanë mundësi financiare, do t’ia mbulojmë pagesën e çerdheve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se familjet nën asistencë sociale nuk do të kenë nevojë të paguajnë për fëemijët e tyre edukimin në fëmijërinë e hershme, pasi si Qeveri kanë siguruar një grant që do t’i paguaj ato, bashkë me transportin.

Sipas saj, buxheti është i ndarë dhe deri në fund të vitit do të japin njoftimin për çerdhet dhe kopshtet që mund të jenë përfituese në këtë drejtim.

“Kemi ende komuna të cilat në zona rurale kopshte dhe çerdhe dhe po ashtu për shkak të pagesës që bëhet, ka familje të cilat nuk mund të përballojnë pagesën në mënyrë që të përfshijnë fëmijët në edukimin e hershëm . Duke parë pengesat dhe vështirësitë që vinë nga komunat apo thënë më mirë moskujdesin e kryetarëve të komunave për qytetarët e tyre, në mënyrë që të pengojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë, ne jemi munduar dhe kemi adresuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, me partnerët nëpërmjet një granti të cilin e kemi përfituar nga Banka Botërore, tashmë mjetet i kemi në dispozicion që të gjithë ata që janë familje nën asistencë sociale nuk do të kenë nevojë të paguajnë për edukimin në fëmijërinë e hershme për fëmijët e tyre.

Duke ditur që në disa raste ka mungesë të kopshteve dhe çerdheve ne do të kemi bashkëpunim edhe me kopshtet që janë në partneritet publiko-privat por edhe me ato private dhe do të merren përsipër edhe shpenzimet e transportit dhe gjithçka tjetër që do të mund të ishte pengesë për të dërguar fëmijët në edukimin e fëmijërisë së hershme”, tha ajo.

Ajo shtoi se kanë adaptuar hapësira duke i transferuar ato në çerdhe por edhe kanë miratuar ligjin që e bën shkollimin të obliguar që nga mosha 5-6 vjeç./kp/