Nga: Draža Petrović / N1
Përkthimi: Telegrafi.com
Që nga fillimi i protestave studentore, taktika e presidentit Vučić dhe e Partisë Progresive Serbe i ngjan asaj taktike së çuditshme dhe qesharake nga ndeshja midis kombëtares së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Brazilit.
Pra, siç thotë barsoleta e vjetër, kombëtarja e Bosnjës dhe Hercegovinës luante kundër Brazilit, dhe trajneri i futbollistëve boshnjakë, para fillimit jep udhëzime të qarta për Mujën dhe Hasën.
Muja duhet të mbajë nën kontroll lojtarin më të mirë të Brazilit, Nejmarin, ndërsa Hasa duhet të shënojë gola, shpjegoi trajneri, duke vizatuar skemën në tabelë.
Fillon ndeshja, Muja nuk i ndahet Nejmarit, por që në minutën e pestë Hasa shënon gol – jo kundër Brazilit, por kundër kombëtares së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Vazhdon loja, Muja ndjek Nejmarin hap pas hapi, vrapon, lufton, por në minutën e 18-të Hasa sërish shënon autogol.
Asgjë, kokën lart, bërtet trajneri, dhe ndeshja vazhdon, Muja shtyhet me Nejmarin, vrapon, djersitet, jep gjithçka në fushë, nuk e lë të marrë frymë, por Hasa përsëri e fut topin në portën e vet.
Trajneri kap kokën dhe vendos të ndryshojë taktikën.
– “Mujë”! – bërtet: “Lëre Nejmarin! Ruaje Hasën”!
Kështu, edhe Partia Progresive Serbe e filloi mbrojtjen e saj për fitoren e Serbisë, e cila është sulmuar nga jashtë dhe nga brenda, siç thotë presidenti. Kështu që presidenti u përcaktua për strategjinë në vazhdim: progresistët ndoqën studentët hap pas hapi, duke bërë mbrojtje pasive në bllokada, vetëm sa për të treguar se janë aty dhe se nuk do të lejojnë që Serbia të destabilizohet nga armiqtë e saj tradicionalë, që nga Kroacia e deri te Papua Guinea e Re dhe Bangladeshi.
Por, sa herë që situata me studentët dukej se po qetësohej, ndonjë progresist fillonte të rrihte studentët, ndonjë tjetër përplaste me makinë ndonjë studente, një tjetër zhvendoste nofullën e një studenteje me shkop bejsbolli. Dhe, kështu, pas vetëm një muaji, studentët kishin marrë një epërsi të pakapërcyeshme ndaj Brazilit kinez të quajtur Partia Progresive Serbe.
Atëherë presidenti ndryshoi strategjinë: “Vëllezër dhe motra, mos u merrni më me studentët, ruani tanët”!
Por, fatkeqësisht, atëherë u pa se në situatën ku të gjithë progresistët ishin të përqendruar të mos bënin më autogola – lexo: të mos futeshin me makinë në ndonjë bllokadë tjetër studentore – nuk mbeti askush që të kujdesej për presidentin, i cili nisi turneun e tij të titulluar “Kërceu arusha edhe para derës sonë”, një turne që do të përfundojë në Paraqitjen e Krishtit në Tempull, ditën kur arinjtë dalin nga shpellat. Një zgjedhje e shkëlqyer e kohës, sepse pikërisht atëherë të gjithë arinjtë do të kërcejnë para derës së tyre, gjë të cilën ata ende nuk e dinë. Sepse, cili pushtet, të cilit “i ka kërcyer arusha para derës”, vendos të organizojë një miting historik pikërisht në ditën kur arinjtë e përgjumur dalin nga shpellat e veta?
Presidenti nisi një turne për të qetësuar qytetarët të cilët, siç besonte thellësisht, ishin shumë të shqetësuar për protestat studentore dhe për një revolucion të inskenuar nga jashtë. Por, u pa se qytetarët nuk ishin fare të interesuar për këtë, aq sa ishin të interesuar, për shembull, se çfarë do të bënin me rritjen e pensioneve prej 900 dinarësh në muaj, nga të cilët 300 shkojnë për abonimin televiziv, duke u mbetur vetëm 600 dinarë në dorë.
– Qytetarët janë krejt idiotë – mendoi presidenti atë ditë në Tërstenik, i mësuar me qytetarë që i kërkojnë ndonjë shërbim të vogël, si asfalt deri te stalla, ndërrimin e karburatorit, një shtyllë elektrike, një djalë pas tri vajzave, kanalizim, një lopë qumështore ose thjesht një fjalë të ngrohtë njerëzore, por papritur u përball me qytetarë që e pyesnin çfarë të bënin me 900 dinarët, nga të cilët fytyra iu skuq nga inati dhe filloi të bërtiste.
Ndonjëherë fytyra i bëhej e kuqe, ndonjëherë e gjelbër, ndonjëherë edhe vjollcë – ndoshta ashtu duhet të duket çdo luftëtar kundër revolucionit me ngjyra. Dhe, ndërsa ecte nga Tërsteniku në Çokë për të qetësuar qytetarët, ata e shtruan pyetjen më të vështirë nga “Milioneri” – çfarë mund të blesh në Serbi me 600 dinarë?
Atëherë presidenti mbajti një mbledhje urgjente me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, një organ që quhet Kolegji Rektal, dhe Kolegji Rektal i dha idenë që të thërriste në takim Kolegjin Rektor, ku do të flitej për plotësimin e kërkesave studentore. Por, ideja e Kolegjit Rektal, organit më të lartë të SNS-së, nuk i pëlqeu Kolegjit Rektor i cili iu përgjigj: “Nuk je i autorizuar”!
Atëherë presidenti kuptoi se më të shqetësuar se qytetarët dhe rektorët ishin gazetarët televizivë, ndaj shkoi në RTS, ku i foli gjatë një gazetareje shumë të shqetësuar, duke treguar për babanë e tij të mërzitur, e më pas për nënën e tij e cila, siç tha ai, ishte shumë e shqetësuar për fatin e fëmijëve dhe nipërve të saj.
– Ajo nuk del fare nga shtëpia. Gjatë gjithë ditës shikon Informer-in, RTS-in, shqetësohet, pyet veten se çfarë do të ndodhë me fëmijët dhe nipërit e saj. Kjo më ka dhënë një forcë të tillë, që ju nuk mund ta kuptoni. Energjia ime tani është në fuqinë eksponenciale. Do të luftoj me një forcë të tillë, do të luftoj me një energji të tillë për këtë vend. Do të luftoj që asnjë prind të mos kalojë atë që kanë kaluar prindërit e mi – shpjegoi, fjalë për fjalë, presidenti në RTS, sepse ai e di që, kur gjithçka dështon, duhet të përdoret varianti popullor: mbërthe elektoratin me emocione, me nënën dhe babanë që ulen të shqetësuar dhe luten për djalin e tyre të vogël dhe të ëmbël i cili tashmë ka mbushur 54 vjet, ndërsa kundër tij janë ngritur njerëz 20 ose 24-vjeçarë që ndoshta nuk kanë prindër të shqetësuar.
E dini atë barsoletën? Ishin Muja, Haso dhe Vuçiqi, dhe po luanin kundër studentëve të Brazilit. Muja ruante studentët, ndërsa Vuçiqi duhej të shënonte gola. Dhe, pasi Vuçiqi shënoi 10 autogola në një pjesë loje që zgjati dy muaj, askush nuk u kujtua të thoshte: “Mujo, lëre Nejmarin, ruaje Vuçiqin”! /Telegrafi/