Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka kritikuar Qeverinë lidhur me pretendimet për rritje ekonomike.
Mustafa me anë të një shkrimi në Facebook ka thënë se dështimi ekonomik nuk mund të ndalet me propagandë, duke shtuar se Fondi Monetar Ndërkombëtar ia dha lajmin e keq Kosovës.
“‘Zhvillimi i pashembullt ekonomik’ nuk po mund të dalë nga letrat propaganduese të Qeverisë e të takojë realitetin e xhepit të qytetarëve. Atje, në realitetin e ftohtë të përditshëm ku takohet kuleta e qytetarit me çmimet gjithnjë në rritje të bukës, vajit, miellit, vezëve, derivateve, energjisë elektrike dhe çdo gjëje tjetër, dëmet e dështimit të pashembullt ekonomik janë të thella”, shkruan Mustafa, përcjell Telegrafi.
Sipas ish-ministrit të Bujqësisë, ditë më parë Banka Botërore parashikonin një rritje reale të ekonomisë për vetëm 3.1 për qind, kurse FMN-ja me vetëm 2.7 për qind.
“Si për inat të Qeverisë së padijshme, pak ditë më parë Banka Botërore deklaroi se parashikonin një rritje reale të ekonomisë kosovare për vetëm 3.1 për qind për sivjet. Sot, Fondi Monetar Ndërkombëtar kumtoi lajmin edhe më të keq, rritja reale pritet të jetë vetëm 2.7 për qind! Sa e ultë do të jetë rritja reale e ekonomisë deri në fund të vitit? Varet edhe sa dëme e keq menaxhime tjera do ja bëjë Qeveria ekonomisë këta dy muaj e gjysmë. Të barabartë në varfëri është qëllimi i tyre. Dështimi i Pashembullt Ekonomik është trashëgimia e tyre”, përfundon ai.
Ashtu si Banka Qendrore e Kosovës (BQK), BB edhe FMN parashikojnë se që ekonomia e vendit tonë për vitin 2022 nuk do të jetë më e lartë se 3 për qind. FMN në raportin “Perspektiva Ekonomike Botërore: Luftimi i krizës së kostos së jetesës” thekson se për vitin 2021 rritja ekonomike ishte 9.5 për qind, kurse për vitin e ardhshëm nuk do të jetë më shumë se 3.5 për qind. /Telegrafi/