Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka deklaruar se ky institucion nuk është treguar aspak ‘inteligjent’ lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale ndaj Burim Ramadanit, inspektor i Përgjithshëm në AKI.
Siç ka thënë Musliu, ky i fundit e ka shfrytëzuar AKI-në për të tërhequr vëmendje publike dhe e ka dëmtuar këtë institucion.
“Ky institucion që fshehtësinë e ka punë të përditshme, çuditërisht lëshoi edhe komunikatë zyrtare lidhur me një ftesë për Ramadanin, rast që siç njoftoi nuk ndërlidhet asgjë me institucionin”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Shfrytëzimi i AKI-së nga Ramadani për të tërhequr vëmendje publike në emër të saj e dëmton më së shumti vetë këtë institucion, ku me përkushtim dhe integritet të lartë shërbejnë shumë vajza dhe djem që e duan Kosovën pa politikë, pa hile dhe pa rezerva”.
Tutje, Musliu ka thënë se si Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së do të kërkojë zyrtarisht përgjegjësi për “rrëshqitjen” e këtij institucioni në këtë rast.
“Nga Ramadani thjesht është kërkuar ‘të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës se luftës dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna tjera nga periudha nga 1 janar 1998 deri 31 dhjetor 2000’. AKI-ja nuk është në shërbim të individëve, por në shërbim të shtetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka përfunduar ajo.
Gjykata Speciale ka ftuar Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani që të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit.
Kjo është bërë e ditur nga AKI përmes një njoftimi për media.
“AKI njofton opinionin publik se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dërguar fletëthirrje për dëshmitar për Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Burim Ramadani”, u tha në njoftim./Telegrafi/