Miliarderi amerikan Elon Musk, ka deklaruar të martën se shërbimet e Starlink nuk janë paguar nga ministria amerikane e Mbrojtjes, pasi që u raportua një ditë më parë se Pentagoni po shqyrton mundësinë që të mbulojë shpenzimet e rrjetit satelitor Starlink në Ukrainë, ku po zhvillohen luftimet e ashpra.
SpaceX po humb rreth 20 milionë dollarë në muaj si pasojë e shërbimeve të papaguara dhe kostos së lartë të masave mbrojtëse nga lufta kibernetike, por Musk theksoi se “do të vazhdojë të mbështesë internetin pa pagesë për Ukrainën”, transmeton Telegrafi.
“Nuk ka para nga ministria e Mbrojtjes, por disa organizata tjera po paguajnë nga 11 deri në 25 mijë për një terminal”, shtoi miliarderi amerikan.
Musk është njeriu më i pasur në botë dhe njëherit drejtori ekzekutiv i Tesla Inc, që tha para gazetarëve se SpaceX shpenzon rreth 20 milionë dollarë në muaj, për ta mbajtur shërbimin satelitor në Ukrainë, dhe se deri më tani i ka shpenzuar mbi 80 milionë dollarë për këtë çështje.
Siç raporton Politico, dy zyrtarë të lartë të Pentagonit kishin bërë të ditur ditë më parë se po shqyrtojnë mundësinë që të mbulojnë shpenzimet për shërbimet e internetit satelitor në Ukrainë, që e ka ofruar kompania e Musk. /Telegrafi/