Site icon Telegrafi

“Musk doli të ishte një budalla dhe unë nuk dua të drejtoj një veturë të ndërtuar nga një budalla”, senatori amerikan heq dorë nga Tesla e tij

Një senator amerikan, të cilin Elon Musk e quajti “tradhtar” për vizitën në Ukrainë, ka njoftuar se po heq dorë nga Tesla e tij.

Demokrati Mark Kelly, i cili ka qenë një mbështetës i vendosur i Kievit, tha se çdo marrëveshje paqeje “nuk mund të jetë një dhuratë për Putinin” pas vizitës së tij në fillim të këtij muaji.

Ndërkohë Musk, një këshilltar i presidentit Donald Trump, iu përgjigj senatorit të Arizonës: “Ti je një tradhtar”.

Dhe tani Kelly po heq dorë nga Tesla, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Hej njerëz”, tha ai në një video në rrjetet sociale.

“Jam këtu në Uashington, duke shkuar në punë për herë të fundit me Teslan time”, shtoi Kelly.

“Kur e bleva këtë gjë, nuk mendova se do të bëhej një çështje politike. Por sa herë që futem në këtë veturë, më kujton se sa shumë dëme po i bëjnë vendit tonë Elon Musk dhe Donald Trump”, vazhdoi senatori.

“Elon Musk doli të ishte një budalla dhe unë nuk dua të drejtoj një veturë të ndërtuar dhe projektuar nga një budalla”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version