Site icon Telegrafi

Mushkolaj për kërkesën e QUINT-it: Manastirit të Deçanit, tokat ju dhuruan me vendim të administratës së Millosheviqit

Ambasadorët e QUINT-it gjatë ditës së martë kanë vizituar Manastirin e Deçanit pasi disa ditë më parë vazhduan presionin ndaj Qeverisë së Kosovës lidhur çështjen e pronës së këtij manastiri.

QUINT-i i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

Analisti Imer Mushkolaj thotë në “Debat Plus” se çështja e pronave të manastirit është problematike parë nga syri i banorëve të Deçanit.

“Mos të harrojmë se këto prona në vitet e 90-ta i janë dhuruar Manastirit të Deçanit me vendim të administratës së atëhershme të Millosheviqit me një vendim diskriminues. Me ardhjen e administratës së UNMIK-ut shumica e këtyre ligjeve diskriminuese të Millosheviqit janë abroguar”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu QUINT-i sërish thirrje Qeverisë së Kosovës: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Mushkolaj thotë se pavarësisht se vendimi është marrë ne vitin 2016, problemi ekziston që nga viti 2000.

Analisti thotë se nëse vendimi do të ishte në rregull, kjo çështje do të ishte harruar.

“Kjo që ka ndodh është një legalizim i një vendimi diskriminues të kohës së Millosheviqit”, deklaroi tutje Mushkolaj.

Në deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT-it thuhet se në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë, ndërkaq përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. /Telegrafi/

Exit mobile version