Site icon Telegrafi

​Murati mohon të ketë humbje financiare në Trust për shkak të mungesës së Bordit

Foto: Arkiv

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka mohuar se ka humbje të mjeteve financiare nga kursimet pensionale në Trust, për shkak të mungesës së Bordit.

Në Komisionin parlamentar për Buxhet, Murati tha se performaca e Trustit për vitin aktual është në normën e vitit të kaluar.

“Është jo serioze të bëhet një propagandë e tillë kur dihet se brenda një dite lëvizjet mund të jenë deri 2 për qind”, tha ai.

Lexo po ashtu Abdixhiku kritikon qeverinë: Gjysmë milioni euro humbje në Trust, popullistët vazhdojnë rehatinë

Se ka rënie të aksioneve në tregjet ndërkombëtare ku ka investuar Trusti, konfirmoi vetë drejtori i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ardian Zalli.

Mirëpo, ai tha se rënie të tilla ka pasur edhe viteve të kaluara.

“Duhet të shohim si të veprohet tutje, Bordi është kyç për vendimet e institucionit”, tha ai.

Sa i përket vonesave në emërimin e Bordit, ministri Murati tha se ka kërkuar sqarime shtesë, pasi nuk ka kuptuar kur është hapur konkursi, por vetëm kur është mbyllur, raporton KP.

Ai tha se është shqetësuese pasi në konkurs kanë aplikuar 47 kandidatë, prej tyre vetëm 21 shtetas të Kosovës, prej tyre gjashtë anëtarë të Bordit paraprak.

Mirëpo, kryesuesi i komisionit që zgjedh Bordin e Trustit, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se i tërë procesi ka shkuar në kohë të rregullt dhe sipas ligjit.

Ndaj këtij komisioni, veçmas ndaj ministrit Murati, reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili akuzoi atë se ka lënë pa menaxhim 2.5 miliardë euro të Trustit.

Exit mobile version