Site icon Telegrafi

A mund të mbijetojë demokracia kur është në shënjestër të njeriut më të pasur në botë?

Nga: George Monbiot / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Kjo është ajo që ndodh kur qeveritë e njëpasnjëshme të ShBA-së dështojnë të përballen me pabarazinë. Ndërsa miliona njerëz jetojnë në varfëri, një grusht njerëzish bëhen të pasur në mënyrë të paparamenduar. Pasuria sjell pasuri, dhe kjo sjell pushtet politik. Ishte e pashmangshme që njëri prej tyre – tani njeriu më i pasur në botë – të fillonte atë që duket si një përpjekje për dominim botëror.

Vota për Donald Trumpin, javën e ardhshme, është votë për Elon Muskun. Ashtu siç përdor Trumpi Muskun, edhe Musku mund ta përdorë Trumpin si trampolinë për të arritur ndoshta një pushtet edhe më të madh se ai që mund të ketë një president amerikan. Bisedat sekrete të Muskut me Vladimir Putinin, të raportuara nga Wall Street Journal javën e kaluar, si dhe kontaktet e tij me liderët e tjerë ekstremistë botërorë, sugjerojnë një model të kërkimit të pushtetit që mund të jetë edhe më shqetësues sesa perspektiva e një presidencë të dytë të Trumpit.

Nëse Trumpi fiton, do t’i bëjë vendit atë që Musku i bëri Twitter-it: ShBA-ja do të jetë e e-Muskuluar. Kjo do të thotë që ata që kanë fuqinë për të sulmuar, përndjekur dhe shtypur njerëzit që nuk kanë ideologjinë e tyre toksike, do të jenë të lirë ta bëjnë këtë.

Po ashtu nga George Monbiot:
Pandemia e gënjeshtrës
S’kam besuar se do ta kërkoj riarmatimin, por gjithçka ndryshon me presidencën kanosëse të Trumpit
Duhet të përballemi me propagandën ruse – edhe kur kjo vjen nga ata që ne i respektojmë

Elon Musku pretendon të jetë “absolutist i lirisë së fjalës”. Por, absolutizmi i tij duket se shtrihet vetëm tek aleatët e tij. Qëkur bleu Twitter-in dhe e riemëroi në X, platforma ka përmbushur 83 për qind të kërkesave të qeverive për censurë ose mbikëqyrje të llogarive. Kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, kërkoi censurimin e kundërshtarëve të tij para zgjedhjeve të fundit të përgjithshme, platforma pranoi. Kur zyrtarët e qeverisë indiane kërkuan të hiqej një dokumentar kritik i “BBC”-së, X-i bëri siç iu kërkua dhe më pas fshiu llogaritë e shumë kritikëve të kryeministrit Narendra Modi.

Muajin e kaluar, X-i bllokoi vegëzat për një dosje për zëvendësin e Trumpit, JD Vance, dhe pezulloi llogarinë e gazetarit që e zbuloi këtë. Musku ka paditur organizatat që e kritikojnë atë. Për shkak se njerëzit më të egër dhe antisocialë – racistë, antisemitë, mizogjinë, homofobë, madje edhe nazistë të hapur – janë rikthyer dhe shpesh promovuar, miliona përdorues të tjerë janë larguar nga platforma, duke degraduar lirinë e tyre të fjalës. Postimet e vetë Muskut raportohet se amplifikohen një mijë herë nga një algoritëm i veçantë. Absolutizëm i lirisë së fjalës? Assesi jo.

Tani ai ka vënë në dispozicion pasurinë e tij të madhe, pushtetin dhe standardet e tij të dyfishta në një përpjekje të dëshpëruar për të arritur zgjedhjen e Trumpit. Disa nga taktikat e tij – shpërblime dhe çmime në para – duken si përpjekje për të blerë vota dhe ndërhyrë në zgjedhje. Avokatët e tij këtë javë arritën ta shmangnin detyrimin e tij për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore që sfidonte këto taktika: një tjetër privilegj i pasurisë. Ai ka përdorur llogarinë e tij në X për të përhapur dezinformata të shfrenuara në favor të Trumpit, duke i dhënë atij miliona dollarë në vlerë reklamimi. Ai ka derdhur 118 milionë dollarë në super PAC-un (komitetin për veprim politik) pro-Trump.

Çfarë do të fitonte njeriu më i pasur në botë nga e-Muskulimi i politikës së ShBA-së – dhe ndoshta asaj globale? Do të fitonte atë që kapitali ka kërkuar që nga momenti kur punëtorët fituan të drejtën e votës: cungimin e demokracisë. Demokracia është problemi që kapitali vazhdon të përpiqet të zgjidhë. Pse? Sepse ajo siguron që punëtorët të kenë të drejta dhe paga të drejta; që bota e gjallë të ketë disa mbrojtje (edhe pse asnjëherë të mjaftueshme); që ne të mos mund të grabitemi, helmohemi dhe plaçkitemi pa asnjë kufizim.

Kapitalizmi ka përdorur dy mjete të fuqishme për të tentuar zgjidhjen e këtij problemi: fashizmin dhe neoliberalizmin. Por, tani, duke u mbështetur në të dy këto ideologji, ajo po kthehet në një formë më të vjetër dhe më të papërpunuar: në oligarki. Pse, mund të pyesin miliarderët, duhet të mbështeten te ndërmjetësit për të ushtruar pushtetin politik? Në fund të fundit, në çdo fushë tjetër, bota përkulet para tyre, jo para ndërmjetësve të tyre. Kjo, mendoj unë, është drejtimi ku po shkojnë Musku dhe disa nga autoritarët e tjerë të teknologjisë.

Fitorja e Trumpit do t’i mundësonte Muskut shmangien e rregullatorëve me të cilët shpesh është në konflikt. Në fakt, nëse ai pranon ofertën e Trumpit për të drejtuar një komision për efikasitetin e qeverisë, Musku do të bëhej rregullatori i tij, i aftë për të zhdukur rregullat që bëjnë dallimin mes një shoqërie të mirë dhe barbarisë.

Por, zgjedhja e Trumpit mund të ofrojë mundësi më të mëdha. Musku kontrollon asetet kyçe strategjike dhe ushtarake, si p.sh. lëshuesit e satelitëve SpaceX dhe sistemin e internetit Starlink. Siç e zbuloi Ukraina vitin e kaluar, ai mund t’i çaktivizojë ato sipas dëshirës. Lloji i vendimmarrjes që përdorin fuqitë shtetërore, tashmë është privatizuar. Raportohet se Kremlini i ka kërkuar atij të mos ofrojë qasje të Starlink-ut në Tajvan, si një favor për qeverinë kineze. Operatorët e internetit tokësor pretendojnë se Starlink-u mund të ndërhyjë dhe përkeqësojë sistemet e tyre. Starlink-u e ka mohuar këtë. Nuk është e vështirë të shihet se si fuqia e tij mund të rritet deri në atë pikë sa qeveritë të ndihen të detyruara të veprojnë sipas kërkesave të tij.

Ai mund të mos duket i tillë. Keqbërësit që synojnë dominimin botëror zakonisht janë elegantë, të qetë dhe të vetëkontrolluar. Musku vishet si një adoleshent që kërkon vëmendje dhe sillet në përputhje me këtë. Megjithatë, ai është i pajisur me mjetet për të shumëfishuar pushtetin e tij përtej çdo gjëje që një plutokrat ka pasur në epokën demokratike.

Për dekada, marrëveshja centriste me kapitalin ka funksionuar si në vijim: mund të përpiqemi disi të përmirësojmë jetën e njerëzve në fund të hierarkisë, por nuk do të bëjmë pothuajse asgjë për të mbajtur nën kontroll ata që janë në majë. Si taktikë afatshkurtër, kjo ka funksionuar: Rupert Murdoch dhe anëtarët e tjerë të plutokracisë arritën një armëpushim të tensionuar me Tony Blairin, Bill Clintonin dhe të tjerët si ata. Por, rezultati afatgjatë ishte që super të pasurit u bënë aq të fuqishëm saqë mund të paraqisnin një kërcënim të drejtpërdrejtë për kombet sovrane, madje edhe për kombin më të fuqishëm nga të gjithë. Disa prej nesh kanë kaluar dekada duke paralajmëruar se ky është rezultati i mundshëm: paqësimi i bën kundërshtarët më të fuqishëm. Por, qeveritë tona pretendonin se po vepronin “në mënyrë pragmatike”: nuk kishte rëndësi sa të pasur mund të bëheshin disa njerëz, për sa kohë që përmirësohej gjendja e të varfërve.

Dekada të tëra studimesh, disa prej të cilave u përmblodhën 15 vjet më parë në librin Fryma e barazisë [The Spirit Level] nga Kate Pickett dhe Richard Wilkinson, tregojnë se sa i pabazuar është ky argument. Shoqëria me pabarazi të lartë, pavarësisht niveleve absolute të pasurisë dhe varfërisë, është shkatërruese për rezultatet sociale, për mirëqenien, kohezionin dhe demokracinë. Por, “pragmatizmi” mbizotëroi dhe rezultoi të mos ishte aspak pragmatik. Kalimi nga demokracia në oligarki nuk duhet të befasojë askënd.

Tani përballemi me e-Muskulimin e përgjithshëm: të jetës publike, të besimit, të mirëdashjes, të ndihmës së ndërsjellë, të një bote ku të varfrit mund të aspironin për diçka më të mirë dhe ku të gjithë mund të aspironim për një planet të shëndetshëm për të jetuar. Qeveritë që ende nuk kanë rënë plotësisht, duhet të bëjnë atë që duhej bërë shumë kohë më parë: t’i bëjnë të varfrit më të pasur dhe të pasurit e mëdhenj më të varfër. /Telegrafi/

Exit mobile version