Qeveria japoneze ka pranuar se një foto zyrtare e kabinetit të saj të ri është manipuluar për t’i bërë anëtarët të dukeshin më pak “të çrregullt” pas spekulimeve në internet se ajo ishte redaktuar.
Fotot e marra nga mediat lokale treguan kryeministrin e ri, Shigeru Ishiba, dhe ministrin e tij të mbrojtjes “me copa të vogla këmishë të bardhë” që dukeshin nën kostumet e tyre.
Por në foton zyrtare të publikuar nga kryeministria të enjten, “parregullsia” ishte zhdukur, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Dhe pas shumë talljeve në internet, një zëdhënës i qeverisë të hënën tha se “u bë një redaktim i vogël” në imazh.
Zëdhënësi Yoshimasa Hayashi u tha gazetarëve se imazhi ishte manipuluar pasi fotot në grup të bëra nga zyra e kryeministrit “do të ruhen përgjithmonë si kujtime”.
Ai shtoi se “në këto foto zakonisht bëhet një redaktim i vogël”.
Komentet e tij vijnë pas një breshëri talljesh në rrjetet sociale.
Një përdorues tha se ishte e qartë se anëtarët e kabinetit kishin veshur kostume në madhësinë e gabuar.
Përdorues të tjerë i janë referuar kabinetit – dhe pantallonave të tyre – si “të papërshtatshme”, sipas mediave lokale.
Fotografia është bërë të enjten pas takimit të parë të kabinetit të ri të Japonisë.
Disa ditë më parë, Ishiba, 67 vjeç, zëvendësoi kryeministrin në largim, Fumio Kishida, si shef i partisë në pushtet të vendit.
Ai u emërua zyrtarisht në rolin e kryeministrit të martën. /Telegrafi/