Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë sot se shënjimi i kufirit me Malin e Zi ka përfunduar në vitin 1930 dhe me këtë marrëveshje Kosova nuk humb territor.
Gjatë një ligjërate para studentëve të kolegjit AAB, Muhaxheri tha se tri vjet kanë shkuar kot dhe është humbur kohë kot për shkak të disa politikanëve të papërgjegjshëm të cilët këtë çështje e kanë kthyer në patriotizëm.
“Demarkacioni ka përfunduar në vitin 1930 dhe nuk ka të bëjë fare me studimin qe është krijuar sot. Në vitet e tridhjeta ka përfunduar shënjimi i kufijve mes komunës se Pejës dhe Plavës, komunës së Pejës dhe Rozhajës, edhe nuk mundet kurrsesi me u ndërrua në vitin 2015, 2016, 2018, 2018 – çfarëdo viti të jetë”, tha Muhaxheri.
Si kryetar i komunës së Pejës prioritet kryesor tha se i ka dhënë zhvillimit të turizmit ku projekti kryesor është përfundimi i projektit të qendrës rekreative Borea. /Telegrafi/