Muharrem Jashari, mesfushori i LNZ Cherkasy, shënoi një gol të rëndësishëm për statistikat e tij, në javën e 20-të të Superligës së Ukrainës kundër Dinamo Kiev, ndeshje që u mbyll me rezultatin 2-1 për kryeqytetasit.
Jashari barazoi rezultatin në minutën e 49-të, duke shënuar për 1-1 pas një asisti të saktë nga mbrojtësi shqiptar Ardy Dajko.
Ky gol u shtua në statistikat e tij të këtij sezoni, ku tashmë ka pesë gola dhe katër asistime.
Mesfushori shqiptar luajti 88 minuta në fushë, duke treguar një performancë solide, ndërsa Hajdin Salihu, një tjetër shqiptar në skuadër, ndenji në stol gjatë gjithë ndeshjes.
Ndeshja ishte e rëndësishme për të dy skuadrat. Dinamo Kiev, lideri i Superligës, mbetet në krye të tabelës me 50 pikë, ndërsa LNZ Cherkasy zë vendin e 10-të me 22 pikë. /Telegrafi/