Shefat e MTV-së kanë vendosur të nderojnë këngëtarin e One Direction, Liam Payne, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve MTV Europe Music Awards (EMA), që do të mbahet muajin tjetër në Manchester.
Ky event i shumëpritur do të zhvillohet më 10 nëntor në arenën e re Co-Op Live Arena të qytetit. Vetëm pak javë më parë, Liam ishte në Manchester për xhirimet e spektaklit të ri të Netflix, “Building The Band”, së bashku me Kelly Rowland dhe Nicole Scherzinger. Ky spektakël ishte menduar të drejtohej nga AJ McLean i Backstreet Boys, por për momentin është pezulluar për shkak të vendimeve nga drejtuesit amerikanë.
Është bërë e ditur që Rita Ora, mikja e ngushtë dhe bashkëpunëtorja e Liam, do të përfshihet në homazhet e MTV-së, të cilat mund të variojnë nga një tribut muzikor i drejtpërdrejtë deri në një video të shkurtër përkujtimore, shkruan The Sun.
Liam Payne, i cili arriti sukses të madh me One Direction nga viti 2011 deri në 2016, nisi karrierën e tij solo me performancën e këngës së tij debutuese “Strip That Down” në MTV EMA të vitit 2017. Kjo këngë, e kompozuar nga Ed Sheeran, u bë një hit, duke e shënuar Liamin me gjashtë këngë në Top 40 në Mbretërinë e Bashkuar si artist solo.
Pas lajmit të trishtuar të vdekjes së Liam në Buenos Aires, Argentina, fansat anembanë botës kanë nderuar kujtimin e tij. Memoriale të veçanta u mbajtën në Londër, Manchester, Birmingham dhe Glasgow. Në Hyde Park të Londrës, qindra fansa të tij u mblodhën për të kënduar këngët e tij dhe për të lënë lule e letra përkujtimore.
Fansat gjithashtu kanë nisur të dëgjojnë dhe të blejnë këngët e “One Direction” për të ndihmuar që ato të ngjiten në renditjet muzikore. Javën e kaluar, tre prej këngëve të grupit po ngjiteshin përsëri në tabelat britanike, përfshirë këtu edhe “Night Changes” që renditet në vendin e 16-të.
Babai i Liam-it, Geoff Payne, ndodhet aktualisht në Buenos Aires, ku është duke bërë përgatitjet për kthimin e trupit të të birit në Angli. Ai falënderoi fansat që ishin mbledhur jashtë hotelit për mbështetjen dhe mesazhet e tyre të ngrohta për Liamin. /Telegrafi/