Site icon Telegrafi

MPJD: Sadik Duraku lirohet nga paraburgimi në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është liruar shtetasi i Kosovës dhe Britanisë së Madhe, Sadik Duraku, i cili po mbahej në paraburgimi në Serbi.

Duraku ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Ministria e Punëve të Jashtme ka theksuar se do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastet e tilla dhe do të informojë bashkësinë ndërkombëtare për veprimet arbitrare dhe destruktive të Serbisë, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Autoritetet serbe dyshonin se ai kishte kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Serbisë, dyshohej që Duraku “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

Edhe shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa. /Telegrafi/

 

Exit mobile version