Telegrafi

MPJD u bën thirrje ndërkombëtarëve që Serbia ta lirojë ish-pjesëtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se përveç ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, është arrestuar edhe një qytetar tjetër Xhavit Daka, por i cili është liruar tashmë.

MPJD-ja ka deklaruar se lidhur me këtë situatë ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Po ashtu, ka thënë se janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Lexo po ashtu Një ish-pjesëtar i UÇK-së arrestohet nga autoritetet serbe në Merdar, avokati i tij thotë se ishte duke udhëtuar për në Itali

“Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje bëhet e ditur se Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqesë kërkesë zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar ambasadorin Jashari ta vizitojё Hasan Dakën, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet nga organet serbe.

“MPJD do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë. Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”. /Telegrafi/