Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar sqarim nga Ambasadori maqedonas në Prishtinë për atë që e ka cilësuar si gjuhë tendencioze në fushatën parazgjedhore në raport me Kosovën dhe personalitete të saj, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Reagimi i MPJ vjen si pasojë e deklaratave nacionaliste të deputetëve të OBRM-PDUKM në Kuvendin e Maqedonisë dhe mediave maqedonase ku janë apostrofuar emrat e Gjeneralit Kadri Kastrati dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës sot ka kërkuar sqarim nga Ambasadori i Maqedonisë në Prishtinë për zhvillimet e dy ditëve të fundit në shtetin fqinj, ku për qëllime ditore të fushatës parazgjedhore atje po apostrofohen personalitete nga Kosova dhe emri i shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të MPJ.
Në kërkimin e sqarimit për Ambasadorin nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të MPJ, Albert Prenkaj është shtruar nevoja që të ketë zyrtarisht një përgjigje nga shteti i Maqedonisë përkitazi me një gjuhë aspak demokratike që nuk i shërben ruajtjes dhe kultivimit të marrëdhënieve shumë të mira miqësore mes Kosovës dhe Maqedonisë.
“MPJ kërkon nga partitë politike maqedonase, dhe politikanët në pushtet ta shmangin Kosovën dhe personalitetet e saj nga fjalori i përditshëm i fushatës parazgjedhore dhe që të ruajnë edhe më tej frymën e mirë të bashkëpunimit si dy shtete fqinje”, thuhet në njoftim./Telegrafi/