Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjithë qytetarët se situata e krijuar me vonesat e pajisjeve me dokumente personale, kryesisht mungesën e pasaportave, Agjencioni për Regjistrimin Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke i menaxhuar me kujdes të shtuar sasitë në dispozicion.
Sipas një njoftimi për media, kjo po bëhet përmes analizimit të rasteve të arsyetuara dhe dëshmuara me dokumentacion mbështetës duke i trajtuar si prioritet të lartë kategoritë shëndetësore, studentët, mërgatën dhe përfaqësimin shtetëror.
“Momentalisht po përballemi me mungesë të lëndës së parë të prodhimit të dokumenteve si shkak i invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës, porse me këtë problem nuk po përballet vetëm Republika e Kosovës por të gjitha shtetet që janë furnizuar në linjën dhe vendin e njëjtë me lëndën bazë të prodhimit të dokumentit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq më tej thuhet se janë duke bërë përpjekje që të sigurojnë materialet e nevojshme duke mundësuar prodhimin dhe furnizimin me dokumente personale brenda afateve.
“Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se po bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë materialin e nevojshëm duke mundësuar kështu prodhimin dhe furnizimin me dokumente personale brenda afateve dhe pa vonesa andaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve rreth situatës së krijuar. Ministria e Punëve të Brendshme do të njoftoj opinionin publik sapo të furnizohemi me sasinë e mjaftueshme të materialit bazë për personalizim të dokumenteve”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MBP-së. /Telegrafi/