Kampioni i Kosovës në futboll, Ferronikeli, do të përfitonte 200 mijë euro nëse do të merrte pjesë në fazën e parë të garave kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe 250 mijë euro të tjera, nëse nuk do të arrinte të hynte në fazën e grupeve.
Nëse do të hynte do të merrte edhe më shumë, por kjo është e paimagjinueshme për nivelin që ka tash për tash futbolli i Kosovës. UEFA do të ndante edhe për Prishtinën 200 mijë euro si shpërblim për pjesëmarrje në fazën e parë të eliminatoreve për Ligën e Evropës, shkruan sot “Koha Ditore”. E me këto përfitime si Ferronikeli ashtu edhe Prishtina kishin planifikuar investime në klub.
“Sigurisht që kemi pasur plane që me mjetet e përfituara nga UEFA të shkojmë në përgatitje më të forta jashtë vendit, të ngremë kapacitetin e administratës, të intervenojmë në infrastrukturë, por sa u përket përforcimeve nuk i kemi llogaritur. Edhe pa mjetet nga UEFA ne kemi dalë suksesshëm në dhënien e mjeteve financiare. Por me përfitimet nga UEFA do të modernizoheshim më shumë”, ka thënë drejtori i Niklit, Artan Berisha.
Edhe nënkryetari Afrim Muçiqi thotë se kanë pasur plane. Ai ende beson se UEFA do të ndajë mjete për klubet Prishtina dhe Ferronikeli.
“Na është premtuar se do të mbështetemi financiarisht, por pa marrë zyrtarisht diçka nuk mund të themi, megjithatë na prish pak planet nëse nuk do t’i marrim”, ka thënë Muçiqi.