Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media ka folur për rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi, gjersa ka thënë nuk mund të flitet për nënshkrim të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa u nënshkruar marrëveshja bazike me aneks, pa u dorëzuar tek autoritetet e Kosovës, Milan Radoiçiq dhe pa u tërhequr letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq dërguar vendeve të Bashkimit Evropian se nuk respektojnë integritetin territorial të Kosovës.
Kurti tha para gazetarëve se pa plotësimin e kërkesave të mësipërme nuk e dinë se kush do ta nënshkruante draft-statutin.
“Pa e nënshkruar marrëveshjen bazike me aneks të zbatimit, pa e dorëzuar Milan Radoiçiqin autoriteteve të Kosovës dhe pa e tërhequr letrën e Brnabiqit ku thonë se nuk e respektojnë integritetin territorial të Kosovës në kundërshtim me marrëveshjen bazike nuk e di çfarë draft statuti mund të nënshkruaj ndokush, jo unë po ndokush”, tha ai.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha tutje se ka nevojë për mirëbesim midis palëve, e vullneti dhe mirëbesimi arrihet kur nënshkruhet marrëveshja, kur dorëzohet Milan Radoiçiqi tek autoritetet e Kosovës dhe tërhiqet letra e ish kryeministres serbe.
“Ju lutem mos e nxirrni qerren para kuajve, nuk mund të bëhet Asociacioni prioritet. Kjo është pikëpamja e Beogradit. Beogradi dëshiron prioritet absolut për Asociacionin… Ne themi jo, marrëveshja bazike që në qendër e ka së paku njohjen e ndërsjellë de facto…
Çdoherë kur flasim për raportin me Serbinë, ju lutem miqësisht, miqësisht po ju lutem mos flisni për dialogun pa folur për marrëveshjen bazike, mos flisni për Asociacionin pa marrëveshje bazike…”, tha ai. /Telegrafi/