Site icon Telegrafi

Mori një goditje të fortë në stërvitje, ylli i Real Madridit humbet finalen ndaj Atalantas

Real Madridi do të synojë që nesër (e mërkurë) ta sigurojë trofeun e parë për sezonin 2024/2025 në finalen e Superkupës së Evropës ndaj Atalantas.

Carlo Ancelotti do të ketë disa dilema në aspektin e përzgjedhjes së formacionit startues, ani pse një prej tyre tashmë është zgjidhur, por jo në mënyrën që ai donte.

Eduardo Camavinga u detyrua që të largohet nga stërvitja për shkak të një goditjeje të fortë që mori nga Aurelien Tchouameni.

Mesfushori francez po mbante gjurin e tij dhe u pa se kishte shqetësime teksa po merrte rrugën në zhveshtore së bashku me stafin mjekësor të ekipit.

Testet e para mjekësore përjashtuan ndonjë lëndim serioz, megjithëse tani është raportuar se Camavinga nuk do të luajë ndaj Atalantas.

Gazetari spanjoll Miguel Angel Diaz ka konfirmuar se ylli francez do t’i mungojë Real Madridit në finalen e nesërme dhe do t’i nënshtrohet të enjten disa testeve mjekësore të reja në Madrid.

“Camavinga ka braktisur stërvitjen pas një dueli me Tchouamenin. Francezi po çalonte me këmbën e tij të majtë. Një lëndim serioz është përjashtuar në parim, por ai do t’i nënshtrohet testeve të enjten në Madrid. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e nesërme”, ka shkruar Diaz në platformën X.

Kujtojmë se finalja e Superkupës së Evropës do të luhet me fillim nga ora 21:00 në Varshavë të Polonisë./Telegrafi/

Exit mobile version