Site icon Telegrafi

Momenti i rrëzimit të një ndërtese shtatëkatëshe banimi në Gjeorgji – ka njerëz nën rrënoja, flasin dëshmitarët

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë 10-15 persona pasi një pjesë e madhe e një ndërtese banimi shtatë katëshe u rrëzua këtë pasdite në Batumi të Gjeorgjisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kryebashkiaku në detyrë i Batumi, Lela Surmanidze i tha mediave lokale se mes personave të zhdukur ka një grua paciente në shtrat, ‘e cila mund të ketë qenë në shtëpi’.

Siç u raportua, shpëtimtarët kanë shpëtuar tashmë dy fëmijë nga rrënojat, përfshirë një të porsalindur.

Një fëmijë i plagosur nga shembja e një ndërtese po trajtohet aktualisht në Spitalin Qendror të Nënave dhe Fëmijëve Iashvili në Batumi.

Drejtori i klinikës Tamar Bakhtadze tha se përveç dëmtimeve sipërfaqësore, fëmija gjithashtu ka një dëmtim të gjymtyrëve të poshtme.

Lexo po ashtu Një ndërtesë banimi u shemb në Gjeorgji, ka njerëz nën rrënoja – dikush nga aty madje telefonoi ekipet e shpëtimit

Kreu i qeverisë Adjara, Tornike Rizhvadze postoi në faqen e tij në Facebook se “ne po luftojmë për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e çdo qenieje njerëzore në rrënoja”.

Ai shtoi se sapo të përfundojë operacioni i shpëtimit do të përcaktohen shkaqet e ‘këtij aksidenti të tmerrshëm’.

Kryeministri gjeorgjian Irakli Garibashvili gjithashtu postoi në mediat sociale se ai do të niset për në Batumi sot dhe do të marrë personalisht informacion në terren.

Sipas mediave, kishte gjithsej 12 apartamente në pjesën e shembur të ndërtesës shtatëkatëshe.

Disa dëshmitarë thanë se shembja ndodhi pas një shpërthimi, ndërsa disa banorë vendas thanë se mund të ishte shkaktuar nga punimet e vazhdueshme të riparimit në katin e dytë të ndërtesës. /Telegrafi/

Exit mobile version