Kjo javë ishte e mbushur me shumë ngjarje, duke filluar nga protesta e punëtorëve të KEK-ut, pastaj aksioni para Rektoratit, aktivitete me rastin e Ditës së Tokës e zhvillime tjera politike.
Në fotografinë e parë shihet një nga punëtorët e KEK-ut duke i rënë borisë, i cili me kolegët e tij protestoi para zyrave qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës, duke kërkuar rritjen e pagave.
Po ashtu fondacioni “Hasan Prishtina” dhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi këtë javë zhvilluan një aksion para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP), në shenjë reagimi ndaj idesë për heqjen e emrit të “Hasan Prishtina” nga UP.
Pasi Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar nga Grupi Parlamentar deputetin Haki Abazi, ky i fundit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të enjten, ka ndërruar ulësen. Dhe këtë moment me anë të një fotografie e ka zënë fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova.
Gjithashtu këtë javë në Kosovë është shënuar edhe Dita e Tokës. Në këtë fotografi shihen disa fëmijë të cilët hedhin në një rrjet të metalte shishe të ndryshme.
Nga syri i fotoreporterit Slivova nuk ka ikur edhe momenti i lëshimit të fontanës e cila gjendet në sheshet e Prishtinës, përpara Teatrit Kombëtar.