Në Laboratorin e kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit në prani të kardiologut nga Luksemburgu, Dr. Fethi Ben Ahmed janë kryer intervenimet mjekësore te tetë pacientët e shtruar.
Sipas njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, mjeku mysafir ka qëndruar në këtë institucion shëndetësor në kuadër të trajnimeve profesionale që ofrohen si pjesë e projektit të mbështetur nga Qeveria e Luksemburgut, raporton Telegrafi.
“Ai së bashku me ekipin e mjekëve invazivë nga QKUK-ja dhe mjekët e Spitalit të Prizrenit kanë kryer koronografinë/intervenimin te tetë pacientë të shtruar në Laboratorin e Kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren”, thuhet në njoftim.
Funksionalizimi i Shërbimit të Kardiologjisë intervente – Laboratori i kateterizimit në këtë spital është mundësuar në saje të mbështetjes prej një milion euro nga Ministria e Shëndetësisë e ShSKUK-ja për planin arkitekturor, punët infrastrukturore, materialin shpenzues dhe medikamentet e nevojshme.
Ndërsa Qeveria e Luksemburgut ka investuar dy milionë euro për pajisjet mjekësore, inventarin dhe trajnimin e stafit brenda dhe jashtë Kosovës, teksa edhe vizita e Dr. Fethi Ben Ahmed është pjesë e aktiviteteve për trajnim profesional.
Laboratori i Kateterizimit në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren është inauguruar në qershortë këtij viti, raporton Telegrafi.
Sipas njoftimit të Spitalit, pacientët trajtohen sipas planifikimit dhe listës së pritjes.
“Nga data 14 qershor 2024 deri më datën 9 shtator 2024 në Shërbimin e Kardiologjisë intervente janë kryer 154 koronografi dhe 67 stentime. Të gjitha rastet janë kryer me sukses dhe nuk ka pasur komplikime të pacientëve të trajtuar”, ka thënë dr. Fazli Berisha, shef i Repartit të Koronares dhe përgjegjësi i Kardiologjisë Intervente, thuhet në njoftimin e Spitalit. /Telegrafi/